Qeveria e Kosovës, pa kapacitete për t'i ndaluar zgjedhjet serbe
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk beson se qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje të përmbushë obligimin e marrë më herët nga legjislativi, për t’i bllokuar zgjedhjet jolegale serbe që mbahen në komunat veriore të vendit. Ndryshe nga shefi i qeverisë Hashim Thaçi, i cili është deklaruar i gatshëm për të zbatuar çdo vendim të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kosova ende nuk i ka potencialet për të marrë veprime aq të mëdha në veri.
“Republika e Kosovës nuk i ka kapacitetet e sigurisë të ndërtuara në atë masë sa të marrë veprime të tilla”, është shprehur kryeparlamentari Krasniqi, ndërsa kthehej nga vizita zyrtare në Kuvajt. Kuvendi i Kosovës, jo vetëm se ka kërkuar nga qeveria të marrë masa për ndalimin e zgjedhjeve serbe, por e ka obliguar atë, që të pengojë edhe ushtrimin e çdo lloj veprimtarie të paligjshme të autoriteteve shtetërore serbe brenda territorit të Kosovës, përfshi ndalimin e vizitave pa leje të zyrtarëve serbë. Qeveria, veç tjerash, është ngarkuar edhe me hartimin e një plan-aksioni për zhbërjen e strukturave të pushtetit serb në veri të vendit. Kryeministri Thaçi e ka pranuar se gjendja në veri nuk lë hapësirë për vetëkënaqësi as të institucioneve vendase dhe as të atyre ndërkombëtare, megjithatë është zotuar se do të zbatojë çdo vendim të Kuvendit.
“çdo vendim i juaji që mendoni se duhet bërë më tepër në këtë moment, unë do ta implementoj”, ka thënë para deputetëve Kryeministri Thaçi. Drejtuesit e partive parlamentare presin që ky zotim i Kryeministrit të mos mbetet vetëm në fjalë, por të dëshmohet edhe në praktikë. “Nëse institucionet e Kosovës tregojnë vendosmërinë dhe gatishmërinë ta implementojnë Kushtetutën dhe zotimet që bënë para Kuvendit dhe para qytetarëve të Kosovës, atëherë duhet të shpresojmë”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli. Ka edhe deputetë që nuk shpresojnë fare se qeveria mund t’i dalë zot vendimit të Kuvendit.
“As dy ditë as dy muaj, as dy vjet, Kryeministri aktual nuk mund ta bëjë këtë”, është shprehur e bindur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli. Sipas saj, qeveria ka premtuar edhe shumë gjëra të tjera, por nuk i ka bërë. “Në fakt, ai (Thaçi) e ka bërë të kundërtën, e ka futur qeverinë në krim të organizuar, në korrupsion dhe thjesht, tashmë është duke u marrë me këto probleme”, ka shtuar ajo. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, konsideron se në Kosovë tashmë ekzistojnë mekanizmat ligjorë dhe kushtetues për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të vet. Edhe ai pret të shohë nëse qeveria do të marrë masa në veri.
“është koha e fundit që institucionet të marrin veprime, përmes të cilat do të dëshmojnë gatishmërinë dhe përkushtimin për të mos lejuar cenim të integritetit dhe sovranitetit të vendit. Jemi vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe po shohim se ka një mungesë të vullnetit për të vepruar diçka në këtë drejtim, megjithatë presim të ndërmerren veprime që do të pamundësojnë mbajtjen e tyre”, ka deklaruar Makolli. Marrjen e masave nga qeveria e presin edhe deputetët e koalicionit qeverisës. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është organ ligjor dhe obligues për qeverinë dhe në këtë kontekst edhe vendimi që ka marrë dje Kuvendi është obligues për qeverinë.
“Qeveria duhet të marrë një qëndrim për veprimet e veta në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë”, ka theksuar ai. Hasani ka rikujtuar se në Kosovë ekziston një sistem i kombinuar i sigurisë, kështu që nevojitet një harmonizim i veprimeve në atë pjesë. Duke u mbështetur në faktin se KFOR-i dhe EULEX-i vazhdojnë të kenë mandat për ruajtjen e sigurisë në vend, drejtuesit e organizatave të luftës nuk presin që qeveria do të arrijë t’i ndalojë zgjedhjet serbe të dielën. “Ne besojmë se qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitete për ta bërë një gjë të tillë, duke u nisur nga vetë fakti se pjesa e ruajtjes së kufijve dhe e mbrojtjes territoriale të Republikës së Kosovës ende është në mandatin e KFOR-it dhe EULEX-it”, ka thënë kryetari i OVL të UçK-së, Muharrem Xhemajli.
Ndërkohë EULEX-i, përmes një njoftimi të brendshëm, i cili është zbardhur nga Radio Dukagjini, i ka këshilluar pjesëtarët e vet që më 30 maj t’i shmangen Mitrovicës.