E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme/ Dionis Sota shpall kandidaturën për Bashkinë e Vlorës: Garoj i pavarur! Vizioni im, një Vlorë evropiane

Dionis Sota ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur për kryetar bashkie në qarkun e Vlorës, duke u bërë i pari që zyrtarizon pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit 2025.

Aktivist i njohur dhe kryetar i Shoqatës Turistike ARTA, Sota ka prezantuar vizionin e tij për qytetin bregdetar me moton “Një Vlorë Evropiane për të Gjithë”.

“Kjo nuk është thjesht një kandidim, është një thirrje e sinqertë bazuar ne barazinë zgjedhore, siç na e garanton Kushtetuta jonë e shenjtë! Çdo qytetar ka të drejtën të ngrihet e të thotë: “Unë do të luftoj për shtëpinë time,për familjen time,për qytetin tim!” Dhe unë po e bëj këtë si një precedent për të gjithë më pas pa asnjë dallim. Vizioni Im është: Një Vlorë Evropiane për të Gjithë!”- u shpreh Sota.

Ai deklaron se vendimi për të kandiduar u mor vetëm 48 orë më parë, i shtyrë nga miqtë, familjarët dhe shoqëria, duke e cilësuar këtë hap si një thirrje zemre për qytetin e tij të lindjes.

Në deklaratën e tij publike, Sota shprehet se kandidimi është një akt i sinqertë dhe kushtetues, një precedent për çdo qytetar që dëshiron të luftojë për komunitetin e vet.

“Unë kandidoj me besim të plotë për një qytet ku çdo banor, nga qendra e Vlorës deri në fshatrat e Orikumit,Shushicës dhe Novoselës të ndihet i vlerësuar. Një Vlorë plot motivacion, energji dhe dashuri pa ndasi apo armiqësi! Vlora është dhe duhet të jetë e para, dhe çdo vlonjat është një perlë e çmuar!”

Kandidati Sota ka prezantuar një program me pesë prioritete urgjente për të gjitha qendrat administrative të bashkisë Vlorë: Vlorë, Orikum, Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë. Ai premton vëmendje të barabartë për secilën zonë, me masa konkrete dhe të zbatueshme.

Ai premton transparencë totale në buxhetin e bashkisë përmes platformës

Programi përfshin krijimin e platformës “Vlora e Hapur” për transparencë totale të buxhetit, ndërhyrje urgjente në infrastrukturë dhe kanalizime në lagjet më të vështira, pastrim dhe rigjelbërim të plazheve dhe qytetit sipas standardeve evropiane, mbështetje financiare për start-up-et e të rinjve dhe ndërtimin e lagjeve sociale me çmime të përballueshme për familjet. Sota synon një Vlorë të pastër, të zhvilluar dhe të barabartë për të gjithë banorët e saj.

Sota thekson se çdo qendër administrative do të ketë vëmendje të barabartë, duke përfshirë Vlorën, Orikumin, Qendrën Vlorë, Novoselën dhe Shushicën.

Ai fton të gjitha forcat opozitare, profesionistët, intelektualët dhe bizneset të bashkohen për një bashkëqeverisje transparente dhe të ndershme.

“Le ta bëjmë Vlorën shtëpinë që meritojmë,” shprehet ai, duke shtuar se kandidimi i tij është i pavarur dhe pa interesa të fshehta, i hapur për çdo verifikim nga KQZ-ja.

Ai angazhohet për një Vlorë të ripopulluar, ku fëmijët të rriten me dinjitet dhe gjyshërit të mos mbeten të vetmuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›