E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme, KQZ gati për regjistrimin e KZAZ-ve

Skadon sot afati përfundimtar për PS-në

Skadon sot afati i përcaktuar në dispozicion të Partisë Socialiste për dorëzimin e komisionerëve për zgjedhjet e pjesshme pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pak ditë më parë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani iu drejtua Partisë Socialiste të respektojë afatin e fundit që është 19 tetori. Por tashmë, PS ka vendosur bojkot të këtyre zgjedhjeve,vendim ky i zyrtarizuar dhe në mbledhjen e Asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste që u zhvillua ditën e shtunë.
Ndërkaq, subjektet e tjera politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit kanë paraqitur komisionerët pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pikërisht në ditën kur skadon dhe afati i fundit për paraqitjen e tyre, i përcaktuar në Kodin Elektoral. Në këtë mënyrë është arritur kuorumi i nevojshëm në ngritjen e 5 komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, çka do të thotë se tashmë nuk ekziston asnjë pengesë për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, të cilat do të mbahen në Komunën Otllakë, në Komunën Fierzë, atë të bashkisë Fushë-Arrëz, bashkisë Klos dhe në Njësinë Bashkiake nr. 10 në Tiranë. Këto komuna, bashki dhe minibashki kanë ngelur pa drejtues pas përfshirjes në garën për deputet të kryetarëve të tyre.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë dorëzuar propozimet, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ndërsa Partia Socialiste, ende nuk e ka hedhur një hap të tillë, duke i’u trembur në mënyrë të hapur humbjes së pritshme në këto zgjedhje të pjesshme.
Sipas Kodit Zgjedhor këto katër subjekte janë të detyruara të propozojnë komisionerë.
Disa ditë më parë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, paralajmëroi subjektet politike që në rast se nuk respektojnë këtë dispozitë të kodit, ndaj tyre do të ketë penalizime. Kodi Zgjedhor, në nenin 29 të tij, përcakton ndërhyrjen e KQZ-së për zgjidhjen e situatës.
“Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë u kalon partive politike të të njëjtit grupim, që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në parlament në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”, thuhet në këtë nen.
Sipas Kodit Zgjedhor, KZAZ përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas kësaj procedure: dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik sipas kësaj shkronje, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit janë regjistruar tre parti politike: Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar.
Ndërkohë, që PS në opozitë nuk do të hyjë në zgjedhje. Zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit zhvillohen pas futjes në Kuvend me mandatin e deputetit, të kryetarëve të pesë njësive të qeverisjes vendore, duke lënë vakant drejtimin e këtyre institucioneve të pushtetit lokal. Zgjedhjet do të zhvillohen në njësinë bashkiake nr. 10 në kryeqytet, ku kryetar ishte Gerti Bogdani; në komunën Otllak në Qarkun e Beratit, ku kryetar ishte Lefter Maliqi; në bashkinë Klos në Dibër me kryetar Bedri Hoxhën; në bashkinë e Fierzës me kryetar Besnik Dushajn dhe bashkinë e Fushë-Arrëzit në Qarkun e Shkodrës, me kryetar Ndue Palucën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›