“Edi Rama kërkon të fshehë humbjen me bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme”

Kreu i LSI-së, Ministri i Jashtëm Ilir Meta, komenton vendimin e fundit të PS-së
Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherazi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, komentoi dje vendimin më të fundit të Partisë Socialiste, për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Meta u shpreh se vendimi është i gabuar dhe tepër i dëmshëm për PS-në. Kreu i LSI-së nënvizoi se pas këtij vendimi absurd Edi Rama po tregon qartë se kërkon të fshehë humbjen dhe dështimet e tij politike në krye të PS-së. “Është një vendim krejtësisht i gabuar dhe në dëm të vetë Partisë Socialiste. Lidershipi aktual, duke ndjerë që nuk ofron dot një alternativë shpresëdhënëse, synon që përmes këtij bojkoti të fshehë një humbje tjetër. Mendoj se nuk është kjo gjuha e duhur e një opozite e cila pretendon se përfaqëson një alternativë për integrimin evropian të vendit”, u shpreh Meta.
Asambleja kombëtare e Partisë Socialiste, vendosi tre ditë më parë, bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme në disa njësi vendore në vend. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se, vendime të tilla nuk i shërbejnë një partie të madhe opozitare si PS, aq më tepër, në kushtet kur Shqipëria synon një afrim të mundshëm me Bashkimin Evropian.
Për sa i takon çështjes së kufirit me Greqinë, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, konfirmoi edhe njëherë se marrëveshja është e domosdoshme dhe se nuk janë cenuar as interesat e Shqipërisë as të Greqisë.
“Kjo është marrëveshje e domosdoshme sepse vetëm përmirëson përcaktimin e këtij kufiri. Absolutisht që ndarja është bërë në interesin e Shqipërisë sikurse edhe të Greqisë në paritet të plotë”, tha ministri i Jashtëm.
Koha e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë, sipas ministrit të Jashtëm Ilir Meta, ndikon pozitivisht në funksion të transparencës.
“Çështja ka qenë në rendin e ditës të kuvendit. Shtyrja e ratifikimit është bërë për tu dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit sa më tepër transparent të procesit”, theksoi Meta.
Gjithashtu, ministri Meta, fton të gjitha palët të shkojnë në Ministrinë e Jashtme dhe të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre duke garantuar dhe njëherë se marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare.
Lidhur me akuzat e disa ish anëtarëve të LSI-së, të cilët e kanë quajtur tradhtar, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaron se forca që ai drejton bëri zgjedhjen e duhur duke qenë në koalicion me Berishën. Në këtë kuadër, Ilir Meta, bëri të qartë se koalicioni aktual PD-LSI, mund të zgjasë më shumë se sa një mandat 4 vjeçar.