Zgjedhjet e pjesshme lokale, PD- “Shtëpia e Lirisë”, përplasja nis nga Lushnja

Kandidati i Sali Berishës, që do të përfaqësojë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ në Bashkinë e Lushnjes, Elton Bano, theksoi se primaret e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit ishin një proces transparent që nuk mund të zbatohet dot nga “uzupuesit e vulës së PD”. Bano tha se ky proces gjithëpërfshirës tregon konceptin për drejtimin e pushtetit nesër, duke i dhënë fund praktikës që u bë e zakonshme nga uzurpuesit e vulës, të cilët i zgjedh vetë ‘peng kryetari’.
“Ju falenderoj për besimin dhe votën tuaj për kandidimin tuaj për kandidat të Bashkisë Lushnjes në zgjedhjet e 6 marsit. Primaret ishin një proces i rrallë dhe mbresëlënës, transparent dhe gjithë përfshirës. Anetarët e PD-së Lushnje dhe të 5 bashkive të tjera vendosën një standard të ri në zgjedhjen e përfaqësuesit të tyre që tejkaloj ndikimin jo vetëm në forcën tonë politike. Procesi vendimmarrës i anëtarësisë që ne kryem, tregon konceptin tonë të drejtimit të pushtetit tonë nesër. Sikurse është fundi i asaj që u bë një praktikë e zakonshme nga uzurpuesit e sotëm të vulës për shumë vite me radhë”, tha Bano.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i PD, i cili e akuzon jo vetëm Elton Banon, por të gjithë koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, se po bashkëpunojnë me kryeministrin Edi Rama, duke renditur disa fakte që, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, se ai ka punuar për kandidatë të LSI dhe PS ndër vite në qytetin e Lushnjës.
“Demokratët e Lushnjës e kanë të qartë se kush i ka shërbyer Edi Ramës në Lushnjë, që nga 2007. Faktet më poshtë po i listoj për çdo demokrat në Shqipëri, se demokratët e Lushnjës janë të qartë: Është fakt që kandidati i LSI+PDK Elton Ilir Bano, në 2007, ka punuar për kandidatin e LSI për Bashkinë Lushnje, Albert Sanxhaku, kundër kandidatit të PD, Florian Dani. Është fakt që kandidati LSI -PDK Elton Ilir Bano, në 2011, ka këmbëngulur dhe mbështetur që Bashkia Lushnjë t’i lihet zonë e lirë LSI. Është fakt që kandidati LSI-PDK, Elton Ilir Bano, në 2013, ka punuar për LSI, duke mbështetur ardhjen në pushtet të Edi Ramës. Është fakt se kandidati LSI-PDK, Elton Ilir Bano, në 2015, ka mbështetur kandidatin e PS-LSI Fatos Tushe, kundër kandidatit të PD, Darien Xhindoli. Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano, në vitin 2017, ka punuar hapur për kandidaten e Partisë Socialiste, Tatiana Pirro, duke mbështetur qëndrimin në pushtet të Edi Ramës. Është fakt që në 2022, kandidati i LSI-PDK Elton Ilir Bano, po shërben si oksigjen për kandidaten e Edi Ramës në Lushnjë, në dëm të demokratëve lushnjarë dhe Partisë Demokratike. Strehimi i Elton Ilir Banos në “Shtëpinë e Ilirit” dhe LSI, nuk është lajm i ri për demokratët e Lushnjës; është thjesht bashkëpunimi i radhës! Ndërkohë, që demokratët e Lushnjës janë bashkë, në shtëpinë e tyre – Partinë Demokratike, në mbështetje të kandidatit të PD Indrit Sefa, kundër Edi Ramës dhe kandidates së Taulant Ballës në Lushnjë”, shkruan Bardhi.