E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme në Berat, Demo: Pjesëmarrja e rëndësishme

BERAT, 9 nëntor /ATSH- Marseda Qefalia/ Në pesë bashki të vendit zhvillohen sot zgjedhjet e pjesshme lokale.

Ekipi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ndoqi nga afër procesin e votimit në Berat, në shkollën “Babë Dudë Karbunara”, në katër qendra votimi, ku qytetarët iu drejtuan kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.

Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe do të vijojë deri në orën 18:00 në 116 Qendra Votimi. Në qendrën e votimit 3272 janë 718 zgjedhës me të drejtë vote, në qendrën 3271/1 janë 710 qytetarë me të drejtë vote, në qendrën e votimit 3279 janë 950 zgjedhës me të drejtë vote dhe në qendrën e votimit 3271 janë 433 qytetarë me të drejtë vote.

Nga vëzhgimi në terren, procesi i votimit sipas anëtarëve të Komisionit të Qendrës së Votimit, vijon normalisht dhe deri në orët e paradites është zhvilluar pa probleme.

Në shkollën Babë Dudë Karbunara, votoi edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Gjatë fjalës së tij Demo bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje.

“Beratasit të bëjnë atë që kanë berë në vazhdimësi të tregojnë qytetari dhe të drejtohen drejt kutive të votimit. Besoj se çdo qytetar duhet të tregojë zërin e vet duke votuar sot. Pjesëmarrja është e rëndësishme. Ajo që duhet për Beratin, besoj se e kanë të qartë kush duhet të jetë zgjidhja dhe zgjedhja ditën e sotme”, tha Demo.

Demo shtoi se “pavarësisht se në Berat është bërë një transformim i jashtëzakonshëm, padyshim që ne kemi dhe shumë sfida. Ai që do të zgjidhet do i çojë para këto projekte dhe do të ketë mbështetjen time. Ka disa projekte shumë të bukura gjatë vitit 2026 për Bashkinë e Beratit”.

Demo theksoi se “këto janë zgjedhje të pjesshme, afatet kanë qenë më të ngushta, në të pesta bashkie PS ka marrë angazhimin maksimal”.

Në garë për kryetar bashkie në qytetin e Beratit janë Ervin Ceca, nga radhët e Partisë Socialiste dhe Pavlo Shkarpa, kandidat i pavarur i cili mbështetet nga partitë opozitare.

Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në Berat u bë pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm të bashkisë, Ervin Demos, i cili u zgjodh deputet nga radhët e Partisë Socialiste, e më pas u emërua ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Berat janë 82 161 qytetarë me të drejtë vote. Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.

Zgjedhjet po mbahen edhe në bashkinë e Cërrikut, Vlorës, Matit dhe Tepelenës.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›