Voton kandidatja e PS-së në Vlorë, Mersini thirrje qytetarëve: Votoni me mendje për më të mirën e Vlorës

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare bashkie në Vlorë, Brunilda Mersini iu bëri sot thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në një prononcim për mediet pas ushtrimit të së drejtës së votës, Mersini e cilësoi këtë ditë si një moment të rëndësishëm jo vetëm për kandidaturën e saj, por mbi të gjitha për qytetin dhe qytetarët e Vlorës.
“Faleminderit për suportin tuaj dhe për këtë ditë të shënuar. Është një ditë e shënuar jo vetëm për mua personalisht që kandidoj si e para grua në siglën e Partisë Socialiste. Një grua që e ndjek ritmin e qytetit, energjinë e tij, njeh njerëzit e qytetit edhe ka përkushtimin ndaj njerëzve. Më e rëndësishme se mua, kjo ditë është për qytetin, për qytetarët e Vlorës që kanë treguar gjithmonë kulturë demokratike, përgjegjësi qytetare ditën e zgjedhjeve”, tha ajo.
Mersini uroi që sot qytetarët e Vlorës të votojnë me zemër, me mendje dhe me përgjegjësi qytetare për më të mirën e Vlorës.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve vlonjatë të shprehin vullnetin e tyre të lirë me votë për të ndryshuar të ardhmen e qytetit”, tha ajo.
Në bashkinë Vlorë, për postin e kryetarit të bashkisë garojnë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, kandidati Gjergji Nika, i propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidati Dionis Sota i mbështetur nga opozita.
/m.m/a.f/