E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës/ KQZ regjistron PD-në zyrtare: Basha është kryetari

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën e depozituar nga Partia Demokratike, me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 24 shtator në bashkinë e Kukësit.

Në këtë mënyrë, në radhët e opozitës për të kandiduar për zgjedhjet e pjesshme vendore për bashkinë e Kukësit, do të njihet ligjërisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjekti zgjedhor që drejtohet nga Lulzim Basha.

“Vlerësoj që kërkesa e paraqitur nga z. Lulzim Basha plotëson të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike. E kemi bërë këtë debat dhe unë kam bërë të njëjtin arsyetim si edhe sot, me kushtet që duhet të plotësojnë për regjistrimin e një partie politike si subjekt zgjedhor.

Përtej çdo diskutimi apo parapëlqimi mendoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si një organ administrativ e ka tërësisht të pamundur nga pikëpamja ligjore që të bëjë një vlerësim dhe një shqyrtim të të gjithë procesit vendimmarrës të një partie politike si për rastin e zgjedhjeve të organeve të saj drejtuese apo edhe për funksionimin e brendshëm të saj.

Për të mirë apo për fat të keq, për shkak të ligjit KQZ është e detyruar ta shikojë kërkesën për regjistrimin e një partie politike thjesht në aspektin formal.

Të parit në aspektin formal presupozon që KQZ të vlerësojë të gjithë dokumentacionin që secila prej partive depoziton në KQZ. Ajo çka është e rëndësishme është ajo që vjen nga gjykata e Tiranës si institucioni i vetëm që njeh ligjin për partitë politike. 

Sipas dokumentit zyrtar, Basha është kryetari. Basha ka legjitimitetin të paraqesë kërkesën për regjistrim në zgjedhje si subjekt zgjedhor”, u shpreh kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Ndërkohë që është hedhur poshtë kërkesa e Berishës për regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, duke njohur ligjërisht PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›