E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nikolla: Basha, kryetar i grupit të PD-së. Reagon Bardhi: Harroje se PS-ja do zgjedhë drejtuesin

Në nisje të sesionit të ri, seanca e sotme e Kuvendit është përfshirë nga debate mbi postin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Teksa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, lexoi njoftimin e depozituar nga PD-ja se Lulzim Basha është kreu i grupit, ka ardhur edhe reagimi i Gazment Bardhit, duke debatuar me vetë Bashën krah të tij.

Duke qenë se Bardhi nuk e njeh shkarkimin e tij nga kreu i grupit, Bardhi ka reaguar ashpër nga foltorja e Kuvendit duke thënë se Partia Socialiste ta harrojë të zgjedhë se cili do jetë kreu i grupit të PD-së.

“Zonja kryetare lexoje edhe një herë njoftimin. Nise nga ajo e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe pastaj dil te njoftimi për PD-në. Ju mund të talleni me qytetarët, mund të jeni tall edhe me opozitën për shkak të konfliktit që kemi pasur këto 2 vite, por ta harroni se do vijë dita kur kryetarin e grupit të Partisë Demokratike ta zgjedhë Partia Socialiste. Atë ditë, ti para dhe pas teje Rama t’i bëni llogaritë mirë.

Ke një rregullore parlamenti që lexon njoftime të grupeve parlamentare. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë Parlament të jenë lexuar njoftime të partive politike, partitë politike ta kryejnë aktivitetin jashtë kësaj salle, në këtë sallë ka deputetë të Kuvendit dhe janë deputetët e  grupit të PD-së që vendosin se kush është kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E kuptoj se disa kanë vendosur të bëhen qesharakë, ju kanë përfshirë edhe juve të bëheni qesharakë, por ju lutem mosprovokoni deputetët e opozitës.

Ky është një paralajmërim shumë i thjeshtë, i qetë dhe qytetar. Kuvendi ka grupet e veta parlamentare. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk e caktojnë dot kreun e grupit të PD,” është shprehur Bardhi.

“Unë lexova njoftimin. Grupet parlamentare dalin nga lista e deputetëve të partive politike. E drejta për organizimin e partive është një e drejtë kushtetuese që prevalon mbi rregulloren. Unë lexova një njoftim që më ka ardhur sot. Fakti që situata në PD është konfuze, qesharak bëheni ju që nuk dini si zgjidhet kreu i grupit dhe sillni këtu dy tre përfaqësues. Jeni konfuz,” tha Nikolla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›