Zgjedhjet e pjesshme vendore, Berisha: Një farsë elektorale, u dhunua vota e lirë e qytetarëve

Një “farsë elektorale” dhe “dhunim të votës së lirë të qytetarëve” i ka konsideruar Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zgjedhjet te pjesshme vendore që u mbajtën në pesë Bashkitë e vendit.
Sipas tij, zgjedhjet treguan se vendi ndodhet nën një regjim autoritar që përdor çdo mjet për të mbajtur pushtetin.
“Një situatë ku regjimi apo diktatura autoritare e instaluar, shpalosi me gjithë shëmtinë e tij dhunimin masiv të votës së lirë të shqiptarëve. U përdorën të gjitha potencialet e shtetit për të grabitur votën e qytetarëve dhe për të penguar shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për përdorim të fondeve shtetërore gjatë fushatës.
“Shpërblimi apo dhurata prej 100 eurosh për pensionistët, falja e gjobave dhe kamatave prej qindra milionë euro, rritja me 8 herë e subvencioneve për fshatin, si dhe punësimet e përkohshme, tregojnë përdorimin e plotë të pushtetit për qëllime elektorale”, u shpreh ai.
Sipas tij, vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmuan me integritet se zgjedhjet nuk ishin të barabarta dhe se procesi zgjedhor ishte i manipuluar. “Të gjitha këto dëshmojnë se zgjedhjet ishin një farsë dhe fusha e garës ishte krejt e pabarabartë”, tha Berisha.
/rtsh.al/