E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tema e Ditës” – Spahiu: Pensioni i plotë shkon në 400 mijë lekë deri në fund të mandatit. PS-PD do kenë konsensus për “Territorialen” dhe “Zgjedhoren”

Deputetja socialiste, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Klodiana Spahiu, shprehet besimplotë se Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale do të ketë konsensus dhe se PS dhe PD do të adresojnë të gjitha rekomandimet lidhur me këto dy reforma.

Gjatë një interviste për “Tema e Ditës” nga Arbër Hitaj në RTSH, ajo theksoi se bashkëpunimi mes palëve është thelbësor për të avancuar procesin dhe për të ruajtur vizionin e Shqipërisë drejt BE-së.

“Nuk mendoj se nuk do të ketë bashkëpunim. Qëllimi që u votua në mënyrë unanime tregon që duan t’i çojnë përpara këto dy reforma. Duke parë dëshirën që kanë anëtarët e këtyre komisioneve për të çuar përpara besoj se do gjendjet një e mesme dhe dakordësi nga dy bashkëkryetarët. Qëllimi ynë është që në të dyja reformat të kemi një pasqyrim sa më të mirë të gjithë rekomandimeve që kemi pasur sidomos asaj zgjedhore të OSBE/ODIHR-it. Jam e sigurt që do të kemi bashkëpunim pasi nëse nuk kemi këtu ndahet edhe vizioni për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Spahiu.

Spahiu tha gjithashtu se pensionet do të rriten gradualisht deri në 400 mijë lekë deri në fund të mandatit. Aktualisht, pensioni i plotë është 270 mijë lekë, dhe rritja do të bëhet çdo vit, krahas indeksimint vjetor dhe bonusit të fundvitit.

“Kemi parashikuar që deri në fund të mandatit, pensioni i plotë të arrijë 400 mijë lekë. Aktualisht, pensioni i plotë është 270 mijë lekë, dhe rritja do të jetë graduale çdo vit, duke u shoqëruar me indeksimin dhe bonusin e fundvitit. Ky është një zotim i mbajtur ndaj kategorisë së pensionistëve, duke pasur parasysh rritjen e numrit të tyre dhe nevojën për të mbështetur buxhetin,” tha Spahiu.

Në lidhje me pagën minimale, Spahiu tha se ajo do të arrijë fillimisht 500 mijë lekë nga 1 janari 2026, me synimin që deri në fund të mandatit të shkojë në 700 mijë lekë.

“Paga minimale do të rritet fillimisht në 500 mijë lekë dhe do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme, duke arritur në fund të mandatit në 700 mijë lekë. Kur rrisim pagën minimale, duhet të mbështesim edhe biznesin dhe të kemi dialog të vazhdueshëm me ta,” shtoi ajo.

E pyetur edhe për hetimet për 21 Janarin, Spahiu theksoi se drejtësia duhet të japë një verdikt përfundimtar për këtë ngjarje të rëndë.

“Për të gjithë shqiptarët duhet të ketë në zgjidhje për 21 Janarin. Drejtësia për 21 janarin nuk e humbet kurrë vlerën e vetë dhe sistemi i drejtësisë do të tregojë sa i paanshëm është dhe sa do ta ndriçojë 21 Janarin duke i dhënë përfundimisht një verdikt asaj ngjarje që ka ndodhur”, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›