“Trialog” – Zogaj: Ndalimi i zgjedhjeve në Tiranë krijon perceptimin e pezullimit, pjesëmarrja e ulët ishte e pritshme

Në emisionin “Trialog” në RTSH u analizuan zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në pesë bashki të vendit.
Diskutimi u fokusua tek pjesëmarrja e ulët e votuesve dhe shkaqet që e kanë ndikuar këtë rezultat.
Analisti Prec Zogaj solli një panoramë të gjerë mbi fenomenin, duke e lidhur me faktorë politikë, shoqërorë dhe kohorë.
Zogaj theksoi se këto shifra janë të interpretuara, por në një farë mase edhe të pritshme, duke sjellë në vëmendje afatin e shkurtër të fushatës dhe mungesën e vëmendjes së elektoratit.
“Elektorati e ka mendjen kur ka zgjedhjet politike sepse mendon se do të ndryshojë diçka. E ka edhe kur ka zgjedhje që paralajmërohen muaj më parë, dhe sa më shumë afron data e zgjedhjeve, vëmendja është më e madhe. Elektorati nuk është orë e çast që të shkojë në zgjedhje,” – u shpreh Zogaj.
Duke u ndalur tek shifrat e ulëta, ai solli në vëmendje faktin se mbi 51% e elektoratit shqiptar ndodhet në emigracion, çka ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e votuesve.
“Duhet të kemi parasysh që më shumë se gjysma e elektoratit është jashtë vendit dhe nuk merr pjesë as në zgjedhjet politike, as në zgjedhjet e rregullta vendore,” – tha Zogaj.
Analisti shtoi se përveç afatit të shkurtër kohor për kandidatët, zgjedhjet e pjesshme nuk kanë marrë vëmendjen e duhur publike.
“Pothuajse nuk është marrë vesh fare se ka pasur zgjedhje vendore të pjesshme,” – theksoi ai.
Zogaj ndaloi edhe tek fakti që zgjedhjet nuk u mbajtën në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një element që krijon perceptimin e pezullimit të zgjedhjeve, për shkak të rolit që kryeqyteti ka në klimën politike të vendit.
“Duhet t’i themi edhe këto arsye dhe të kemi parasysh që edhe në zgjedhjet e rregullta pjesëmarrja ka qenë mes 38 deri në 40 për qind,” – u shpreh Zogaj.
/rtsh.al/