E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet kanë sjellë prurje të reja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Ferizaj, po vazhdon procesin zgjedhor nëpër nëndegët e këtij subjekti dhe pritet që deri kah mesi i kësaj jave të përfundojnë kuvendet zgjedhore. Drejtues të degës të hënën këtë proces e kanë vlerësuar si mjaftë demokratik dhe të suksesshëm, duke thënë se deri më tani zgjedhjet janë mbajtur në 45 nëndegët e saja prej 50 sa numëron dega.

Sekretari i degës, Gazmend Bytyqi, ka thënë për Kosovapress, se procesi zgjedhor është duke shkuar mjaftë mirë dhe se deri kah mesi i javës pritet që të përfundojnë zgjedhjet në të gjitha nëndegët.

Bytyqi ka shpjeguar se në këto zgjedhje ka pasur një interesim të shtuar të anëtarësisë për tu kyçur në strukturat e partisë.

"Procesi po shkon mirë, zgjedhje kanë sjellur prurje të reja, emra të rinj por në struktura kanë mbetur edhe emra që për vite e kanë bartur peshën organizative të këtij subjekti", ka thënë Bytyqi.

Për më tepër, mësohet se shumë shpejtë pas përfundimit të zgjedhjeve nëpër nëndegë, kryesia e degës do t'i bëjë një analizë këtij procesi dhe me kohë do të njoftoj edhe opinioni për ecurinë e procesit zgjedhor.

"Jemi në fazën kur ende nuk i kemi tërë raportet e punës së kuvendeve zgjedhore dhe pas kompletimit të tyre dhe analizës do të dalim me qëndrim zyrtarë" ka theksuar Bytyqi.

Ndryshe, kuvendi i degës pritet që të mbahet më së largu deri më 15 dhjetor, mirëpo sipas zyrtarëve, bazuar në ecurinë zgjedhore që po zhvillohet, kuvendi mund të mbahet edhe para kësaj date.

Ky subjekt politik përbëhet nga 50 nëndegë, numri maksimal i delegatëve për Kuvendin e degës është 121, nga i cili pritet që të del Këshilli Drejtues, kryesia dhe kryetari i degës. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›