Zgjedhjet lokale/ Berisha nga Maliqi: Rruga Qukës-Qafë Plloçë, vjedhje masive! Meta në Pogradec: Rilindja ka dështuar

Ish-kryeministri Sali Berisha, në aktivitetin e organizuar për prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Maliq mjekun Alfred Gega, është ndalur tek rruga Qafë-Plloçë-Qukës, rrugë që sipas tij përveçse nuk i shërben më qëllimit të saj kryesor, pra shkurtimit të distancës për qytetarët, u ka kushtuar atyre shumë pasi është një rrugë e cila është zgjatur disa herë. Berisha ka kërkuar votën e banorëve të Maliqit për kandidatin kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit.
“Po pse ikin devollinjtë? Sepse përdoret politika armiqësore ndaj fermerëve të Devollit. Sepse ata kanë një sistem fiskal kundër tyre, në blerje zero TVSH, në shitje 20%. Sepse ata kanë një subvencionim, 6 herë më të ulët se Kosova, 8 herë më të ulët se Maqedonia.
Sepse hapën kufijtë, hapën trarët e doganave për kontrabandistët dhe mbeten mollët, mbeten prodhimet e Devollit në fushë, priten pemët, sepse kjo qeveri, këta qeveritarë nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç pasurimit të tyre”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga Pogradeci sfidoi hapur kryeministrin Edi Rama, duke shtuar se ai duhet të nxjerrë përballë të zgjedhurit e vetë me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Meta tha se nga Pogradeci deri në Kolonjë, fitorja e koalicionit të tyre do të jetë bindëse.
“Fakti që kapen me mua dhe Berishën, është pranim i dështimit të Rilindjes dhe monizmit. Ai s’ka asnjë kandidatë që të dalë përballë kandidatëve tanë” ka thënë Meta përpara mbështetësve të tij.
/rtsh/