E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet lokale, data vendoset në fillim të shtatorit

Topi, afat deri më 8 shtator për dekretimin e datës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale vetëm në fillim të muajit shtator. Edhe pse pritej që dekreti të bëhej këtë muaj, burime nga Presidenca pohojnë për gazetën se gjithçka është lënë për muajin tjetër. Ndërkohë që në bazë të afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor data e zgjedhjeve pritet të jetë 1 ose 8 maji. Vetëm pas caktimit të datës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të nisë nga puna për administrimin e këtij procesi. Ndërkohë që një tjetër pengesë për punën e KQZ-së është dhe mosbërja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. OSBE/ODIHR në raportin përfundimtar pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 rekomandoi një sërë ndryshimesh për të rritur standardet e zgjedhjeve, por lufta politike e socialistëve e ka bërë të pamundur këtë proces.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor parashikon se data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore, duke i lënë kohë Presidentit deri në 8 shtator. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi, - thuhet në pikën 1 të nenit 10 të Kodit Zgjedhor.

Këto dy pika të Kodit shprehen për afatet e dekretimit të zgjedhjeve parlamentare, por Kodi udhëzon që të njëjtat afate përdoren edhe në rastin e zgjedhjeve vendore.

Pikat 1 dhe 2 të nenit 9 përcaktojnë: 1. Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në rast se mandati i Kuvendit përfundon më herët se 30 ditë nga fillimi i periudhës zgjedhore, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore pararendëse. Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij.

2. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date. Ndërkohë që pika 2 e nenit 10 përcakton se për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007 është shpallur në 8 qershor 2007, çka përcakton se data e zgjedhjeve të ardhshme vendore është një nga 2 të dielat e para të majit përkatësisht ditën e punëtorëve më 1 maj ose në 8 maj 2011.

Neni 10

Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi.

2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›