Leskaj: Berisha, kryetari i vërtetë i Kuvendit, e dirigjon me telefon
Për Qeverinë
Qeverisësit e sotëm sillen sikurse edhe në opozitë, si bartës të kulturës së gjuajtjes jo me ide po me baltë, u mungon qasja alternative. I keni vënë re? Dalin aty dhe shajnë opozitën në vend që të flasin për qeverisjen. Ky është rast unik kur qeverisësit merren më shumë me sharje ndaj opozitës se sa me përgjegjësitë qeverisëse.
Për Parlamentin
Do mbahet mend si një Parlament i kontrolluar tërësisht nga ekzekutivi dhe i përdorur jo për të garantuar balancimin e pushteteve dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve, po shtirjen e tyre në dorë nga Kryeministri. Të gjitha këto janë prova që Parlamenti ynë është larg demokracisë funksionale.
Për buxhetin
Ky është një rast i paprecedent i një seance tërësisht të censuruar nga kryetarja që nuk lejoi diskutime, po e kaloi buxhetin, madje edhe pa votuar nen për nen. Kjo është më shumë se sa mungesë serioziteti për një parlament. Në fakt, bllokimi u bë nga ai që është kryetari i vërtetë i Parlamentit dhe që e dirigjon me telefon, Kryeministri.
Për protestat
Dua të them se edhe pse mazhoranca po dëshmon se nuk e do opozitën në Parlament, ne do jemi aty për të mos lejuar kapjen e shtetit, për të denoncuar çdo shkelje e për të kontribuar e kërkuar zgjidhjen e krizës politike gjithashtu. Sa i përket protestave, unë besoj se motivet për të protestuar sot janë shtuar.
Deputetja e PS: Parlamenti, larg demokracisë funksionale. Zgjidhja e krizës, në pritje për të kontribuar
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në një intervistë të dhënë dje për gazetën "Shekulli" deklaroi se Parlamenti ynë është larg demokracisë funksionale. Anëtarja e Kryesisë së PS analizon gjithashtu sesionin parlamentar që lamë pas, duke kritikuar rolin e Kryeministrit që ka pasur në të. Zyrtarja e lartë socialiste i bën thirrje gjithashtu kreut të mazhorancës që të ushtrojë përgjegjësitë për zgjidhjen e krizës.
Për sa i përket protestave, Leskaj vlerëson se motivet për të protestuar janë shtuar. Gjithashtu, ajo nënvizon se PS është ende në pritje dhe të vullnetshëm për të kontribuar në zgjidhje përmes tryezës së kryetarëve të grupeve parlamentare, e cila është ende e hapur.
Zonja Leskaj, një javë më parë u mbyll sesioni i dytë parlamentar. Megjithëse pritej një zgjidhje e krizës politike në vend, punimet në Kuvend u mbyllën dhe kjo situatë pritet të vazhdojë edhe në sesionin tjetër parlamentar. Si e vlerësoni sesionin parlamentar që lamë pas?
Për fat të keq, ky Parlament do mbahet mend si Parlamenti i dominuar nga një kulturë politike represive, kufizuese e mazhorancës, jo gjenerues në politika.
Shfaqjet e drejtimit arbitrar, dhunimit të fjalës së lirë ku i pritet fjala ose nuk i jepet fare opozitës janë bërë rutinë. Në fakt, ky Parlament do mbahet si Parlamenti i heqjes së votës së fshehtë nga mazhoranca, e cila pas dhunimit të votës në zgjedhjet e 28 qershorit e shtriu kontrollin mbi votën edhe në Parlament. Do mbahet mend si Parlamenti që prishi edhe ato pak konsensuse që ishin arritur në të kaluarën.
Dhe për këtë mjafton ndryshimi dy herë i rregullores së Parlamentit, një rregullore e ngritur me konsensus apo ndryshimet në entet rregullatore mediatike, emërimet në KKRT, janë bërë në shkelje të ligjit e të konsensusit të arritur me marrëveshjen e viti 2007.
o mbahet mend si një Parlament i kontrolluar tërësisht nga ekzekutivi dhe i përdorur jo për të garantuar balancimin e pushteteve dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve, po shtirjen e tyre në dorë nga Kryeministri. Të gjitha këto janë prova që Parlamenti ynë është larg demokracisë funksionale.
Së fundmi, marrëdhëniet midis PD-PS në Parlament kanë qenë shumë të acaruara. Seancat plenare janë shoqëruar me debate dhe akuza. Cili është mendimi juaj për përplasjet opozitë-mazhorancë dhe a janë normale ato në një vend demokratik?
Varet për çfarë flitet. Janë normale kur përplasen idetë, alternativat. Për fat të keq në rastin e Parlamentit tonë është tjetër gjë dhe besoj se këtu bëjmë diferencë, ka një palë që vuan ende nga sindroma e opozitës. Qeverisësit e sotëm sillen sikurse edhe në opozitë si bartës të kulturës së gjuajtjes jo me ide po me baltë, u mungon qasja alternative. I keni vënë re?
Dalin aty dhe shajnë opozitën në vend që të flasin për qeverisjen. Ky është rast unik kur qeverisësit merren më shumë me sharje ndaj opozitës e sa me përgjegjësitë qeverisëse. Padyshim që kjo vjen dhe nga shterpësia e ideve dhe alternativave.
Pakënaqësia e PS për sesionin që lamë pas është e adresuar edhe ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Opozita e ka akuzuar këtë të fundit për abuzime me postin e saj, përmes shpenzimeve të pajustifikueshme, dhe problemet ndaj rrogave të deputetëve socialistë. Si e konsideroni marrëdhënien midis PS dhe Topallit?
Nuk e di nëse ka një marrëdhënie në këto kushte që zhvillohen seancat parlamentare. Besoj se e keni parë shfaqjen e fundit për buxhetin e shtetit. Një fyerje e publikut dhe parlamentarizmit njëherësh. Mjafton të shihje si kalonin nenet e buxhetit pa u votuar fare vetëm përmendeshin neni një, dy, tre, katër... Madje, as u përmendën të tëra nenet dhe u votua në tërësi, nëse ai mund të quhet votim.
A ka ligj më të rëndësishëm për t'u diskutuar në Parlament se sa buxheti i shtetit? A ka gjë tjetër, për të cilën publiku është më i interesuar se sa si do menaxhohen financat publike, si përdoren taksat e tij, e si shkurtohen shpenzimet që afektojnë direkt jetën e tyre të përditshme? Besoj që jo. Ky është një rast i paprecedent i një seance tërësisht të censuruar nga kryetarja që nuk lejoi diskutime, po e kaloi buxhetin, madje edhe pa votuar nen për nen.
Kjo është më shumë se sa mungesë serioziteti për një Parlament. Në fakt, bllokimi u bë nga ai që është kryetari i vërtetë i Parlamentit dhe që e dirigjon me telefon, Kryeministri. Sa i përket çështjes së shpenzimeve, ne ashtu si dhe publiku presim që Kryetarja të japë një përgjigje serioze.
Grupi i PS ka pasur shumë ankesa ndaj rrogës që u takon, duke shprehur shpeshherë shqetësimin për mbajtjen e padrejtë të parave. A ka zgjedhur një mënyrë PS për të sistemuar një herë e mirë këtë çështje?
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka pasur ankesa e reagime në radhë të parë për mënyrën e drejtimit të Parlamentit që është kyç për një demokraci funksionale. Sa i përket çështjes që ju referoni, për mua kjo nuk është një çështje private po një çështje e zbatimit të ligjit dhe ka të bëjë me pengimin e deputetëve në ushtrimin e funksionit të tyre, duke u vënë pengesa të shkojnë te zgjedhësit apo të kenë mundësi komunikimi me ta dhe për këtë zgjidhja duhet të vijë ligjore. Veçse një hakmarrje primitive ndaj opozitës, ky është dhe një presion. Ata mendojnë se do t'i kompleksojnë deputetët e opozitës dhe kjo është një sjellje anakronike.
Është normale që deputetët jetojnë me pagën e tyre dhe kanë të drejtë ta kenë, ashtu siç është më se normale, madje e detyrueshme, që atyre t'u krijohen kushte për të takuar e për t'u kujdesur për zgjedhësit paralelisht me aktivitetin tjetër politik. Ata ende nuk e kanë kuptuar se protestat nuk ndalen me gjoba, në fakt kufizimi i të drejtave dhe detyrimeve të deputetëve ishte gjoba për protestat.
Zonja Leskaj, shpresat për zgjidhjen e krizës politike në vend u rritën, ndërsa PD-PS nisën negociatat midis tyre. Por, edhe pse pati dy raunde zyrtare negociatash, palët nuk dolën me një qëndrim të përbashkët.
A mund të themi se negociatat dështuan?
Natyrisht që të funksionojë një dialog e të prodhojë një zgjidhje nuk mjafton vullneti politik i një pale, duhen dy. Ne i kemi bërë disa hapa, oferta më e fundit ka ardhur përpara pak ditësh, ende nuk shoh ndonjë vullnet të qartë politik nga pala tjetër.
Ne jemi në pritje e të gatshëm për të kontribuar, mazhoranca duhet të kuptojë e të ushtrojë përgjegjësitë që ka për zgjidhjen e krizës, së pari, përpara shqiptarëve po dhe përpara partnerëve ndërkombëtarë. Në vend që të hap konflikte të reja me partnerët si rasti i SHIKU-t, Kryeministri të dëshmojë përgjegjësi, duke i hapur rrugë zgjidhjes së krizës.
Në rast se Partia Demokratike vijon edhe më tej qëndrimin e shprehur të saj mbi çështjen e kutive. Selia rozë çfarë rruge do të ndjekë?
Besoj se PS është në një rrugë pa kthim për sa i përket transparencës, sepse kjo nuk është një tekë e PS, po një e drejtë dhe vendim i më shumë se gjysmës së shqiptarëve që kanë votuar për të dhe që provuan mbështetje e qëndrueshmëri në kërkesën e tyre për transparencë me protestat që erdhën vazhdimisht në rritje. Ne jemi ende në pritje dhe të vullnetshëm për të kontribuar në zgjidhje përmes tryezës së kryetarëve të grupeve parlamentare, e cila është ende e hapur.
Së fundmi, kryesocialisti Rama në daljen e tij të fundit për mediat deklaroi se pas një periudhe të shkurtër pushimesh, në shtator PS do të ketë shumë punë për të bërë. Po kështu, gjatë fjalës së tij, ai tha se opozita do të jetë zëri i protestës së qytetarëve.
Është parashikuar nisja e protestave në muajin e ardhshëm nga PS dhe nëse ka, a ka një plan, një slogan, për zhvillimin e tyre?
Së pari, dua të them se edhe pse mazhoranca po dëshmon se nuk e do opozitën në Parlament, ne do jemi aty për të mos lejuar kapjen e shtetit, për të denoncuar çdo shkelje e për të kontribuar e kërkuar zgjidhjen e krizës politike gjithashtu. Sa i përket protestave, unë besoj se motivet për të protestuar sot janë shtuar, nuk janë pakësuar, ashtu siç janë shtuar motivet për një opozitarizëm të fortë në Parlament.
Janë shtuar për shkak se kriza politike është aty ku ka qenë, se kriza e institucioneve, po thellohet me dy ngjarjet e fundit, me përpjekjen për të ndryshuar ligjin për SHIK-un dhe presionin ndaj Presidentit për ta futur në dorë dhe pjesën e mbetur të gjyqësorit, se kriza ekonomike po bëhet e papërballueshme për njerëzit.
Në fakt, të tria krizat janë të lidhura e të derivuara nga e para.
Zgjedhjet e vjedhura sollën krizën e funksionimit të Parlamentit po dhe të kapjes së disa institucioneve të tjera të pavarura deri te entet rregullatore mediatike, keqmenaxhimi i financave publike për zgjedhjet e 28 qershorit thelloi krizën ekonomike dhe po e fut vendin në krizën e borxheve.
Në fakt, shqiptarët po kalojnë një vit të vështirë ekonomik, sot jetojnë më keq se dje dhe fshehja e të vërtetës dhe mosmarrja e masave efikase bën që nesër të jetojnë më keq se sot. Ky është problemi, ndaj çështja e protestave nuk është sot një zgjedhje e opozitës po një detyrim ndaj një qeverisje që nuk dëgjon e nuk vepron në interes të publikut.