E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Brenda gushtit dorëzohen përgjigjet mbi raportet e ekspertëve të KE-së

Raportet e Komisionit Europian të hartuar nga tre ekspertët që erdhën në korrik në Shqipëri për të verifikuar progresin e bërë në tre çështjet që KE la si detyrë për vendin tonë ka qenë arsyeja që Kryeministri Berisha i kërkoi administratës angazhim maksimal, pavarësisht periudhës së pushimeve për të përmbushur kushtet e mbetura.


Duke folur për tre kushtet e fundit të mbetura, për të cilën qeveria shqiptare do të testohet nga raporti, kreu i qeverisë i bëri thirrje administratës që të nxjerrë të gjitha problemet e mbetura për t'i zgjidhur ato. Kryeministri Berisha i cilësoi raportet e ekspertëve si objektive, pasi, sipas kryeministrit, ekspertët patën rastin t'i "preknin" gjërat në vend.


Raporti për vizat

Kryeministri Sali Berisha i kërkon ministrave dhe administratës që të punojnë maksimalisht për përmbushjen e kritereve të lëna nga Bashkimi Europian për procesin e liberalizimit të vizave.


Sipas kryeministrit Berisha, pavarësisht punës së mirë, përpjekjet për përmirësimin e punës duhet të vazhdojnë më tej. Kreu i qeverisë deklaroi se administrata shtetërore do të vazhdojë punën për të shqyrtuar raportet e ekspertëve të Komisionit Europian. "Sërish ju ftoj që gjatë gushtit raportet të studiohen. Kërkoj një shqyrtim kompleks", deklaroi kreu i qeverisë.


Duke i vlerësuar raportet objektive, Kryeministri kërkoi studimin me kujdes të tyre dhe dhënien e përgjigjeve brenda afatit të përcaktuar në fund të muajit gusht, në mënyrë që të përcaktohen objektivat e reja të qeverisë. "Kjo është jashtëzakonisht e dobishme, - theksoi Kryeministri - në mënyrë që të procedohet më tej me reformat". Për shefin e mazhorancës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkojnë një punë më të madhe për përmirësimin e situatës.


"Thashë edhe një herë, dy çështje janë themelore: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Makineria jonë duhet të shohë se si mund të përmirësohet më tej", theksoi Berisha. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri kërkoi shqyrtimin me kujdes të raporteve të ardhura nga ekspertët e BE-së.


"Duke falënderuar të gjithë administratën për seriozitetin e madh, do të kërkoja që ky proces, i cili konsistoi me një sërë reformash për vendin, të jetë një proces që të njohë konsolidim të mëtejshëm dhe nivele të reja", u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë, procesi i liberalizimit të vizave është një ndër arritjet më të mëdha të qeverisë dhe për të gjithë shqiptarët.


"Duhet të nxjerrim çdo problem, pavarësisht arritjeve, në mënyrë që të procedojmë me reformat. Shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri", u shpreh kreu i mazhorancës.


Më tej, kryeministri Berisha u ndal në secilën prej pikave që i janë lënë vendit tonë nga raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për t'u plotësuar. Sipas kreut të qeverisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk do të përfundojë kurrë. "Lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë. Suksesi i saj varet sa je në gjendje të konsolidosh atë që ke arritur dhe me vendosmëri të përcaktosh objektiva të tjera", theksoi Berisha.


Ekonomia


Kryeministri Berisha, duke u ndalur në mbledhjen e qeverisë në zhvillimet e ekonomisë shqiptare, u shpreh optimist, duke deklaruar se muaji korrik shënoi rritje me 65 për qind të eksporteve shqiptare.


Sipas kreut të qeverisë, në total, eksporti i 7 muajve kap vlerën e 95.2 miliard lekëve, kundrejt 57 miliard të 7 muajve të vitit të kaluar. Shefi i mazhorancës deklaroi se Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të eksporteve gjatë këtij muaji. "Rritjet janë jashtë çdo parashikimi.


Asnjë vend nuk ka regjistruar një rritje të tillë eksportesh në këto 7 muaj", theksoi kreu i qeverisë. Për kreun e qeverisë, rritja e ekspertove ka ndikuar edhe në uljen e shifrave të papunësisë në vend.


Turizmi


Sezoni turistik nuk mund të qëndronte jashtë vëmendjes së kreut të qeverisë në mbledhjen e qeverisë, duke deklaruar se numri i turistëve të huaj që hynë në vendin tonë për muajt qershor-korrik llogaritet në rreth 1.4 milionë ose 26 për qind më shumë se viti i kaluar. Duke folur në mbledhjen e qeverisë për ecurinë e sezonit turistik, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se këtë vit numri i turistëve do ta tejkalojë atë të vitit të kaluar.


Për kryeministrin, turizmi po shndërrohet gjithnjë e më shumë ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare, kur vetëm në dy vjet, sipas Berishës, turizmi u rrit me 60 për qind. Kreu i qeverisë u shpreh se një ndër faktorët kryesorë për këtë rritje, është edhe ndërtimi i rrugës Durrës-Morinë. "Ishte jashtë çdo mundësie të arrihej kjo po të mos ishte rruga. Një rritje e tillë është tërësisht kontribut i rrugës së kombit", deklaroi Berisha.


Një tjetër faktor i rritjes së numrit të turistëve këtë vit, sipas kreut të qeverisë, ka qenë edhe përmirësimi i infrastrukturës në zonat turistike. Kryeministri Berisha deklaroi investimet e qeverisë në zota turistike kapin shifrën 750 milionë euro, nga Ksamili në Velipojë, ç'ka ka bërë, sipas tij, që në 5 vjet, numri i turistëve të dhjetëfishohet në 3 milionë.


Por, kreu i qeverisë i tërhoqi vëmendjen autoriteteve të mjedisit, duke kërkuar më tepër profesionalizëm nga ata gjatë inspektimeve në lokalet bregdetare për ndotjen akustike.


"Inspektorët e mjedisit paraqiten pa aparat. Inspektorët e mjedisit nuk mund të shkojnë të paraqiten askund me duart në xhepa, por vetëm më aparatet matëse", theksoi Berisha. Gjithsesi, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për të mos lejuar zhurmën e lartë nga muzika nëpër lokale pas mesnate.


Fondi për familjet e viktimave në Gjegjan


Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet në fondin që do të shkojë për të ndihmuar familjet e prekura nga aksidenti i ndodhur më 17 korrik në aksin Rrëshen - Fushë-Arrëz. Qeveria rriti me 950 mijë lekë të reja buxhetin e mëparshëm për këto familje.


Në vendimin e qeverisë thuhet se në vendimin nr. 584, datë 27.7.2010, të Këshillit të Ministrave, vlera e fondit prej 21 100 000 lekësh do të zëvendësohet me 22 050 000 lekë. Ndërkohë, listës së viktimave i është shtuar edhe emri i 15-vjeçarit Erikson Gjin Peraj. Në aksidentin e ndodhur në aksin Rrëshen - Fushë-Arrëz humbën jetën 15 persona, ndërsa 11 të tjerë u plagosën.

Viti i Nënë Terezës


Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, do t'i shtohet fondi prej 24 928 000 lekësh, për realizimin e veprimtarive në kuadër të festimeve të 100 - vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Efektet financiare të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Sipas ministrit grek, Shqipëria është pjesë e axhendës së Greqisë për vitin 2014 Meta - Droutsas, Ballkani në BE brenda 2014


Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Dimitris P. Droutsas, siguroi ministrin tonë të Jashtëm, Ilir Meta, për vullnetin politik të Greqisë, në drejtim të zbatimit të nismës greke për integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, brenda vitit 2014.


Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme thuhet se ministri Droutsas përsëriti mbështetjen e palës greke në finalizimin e shpejtë të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


"Edhe njëherë dua të theksoj rëndësinë që ne i japim afrimit të perspektivës europiane të të gjithë rajonit dhe natyrisht edhe të Shqipërisë. Siç e dini, Greqia është një mbështetëse e fuqishme e kësaj perspektive", theksoi Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë gjatë takimit me ministrin Meta.


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, vlerësoi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe shprehu bindjen për forcimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të ardhmen. "Agjenda, 2014 ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nxitje e fuqishme për ne, por edhe për BE-në, që të adresojë aspiratat europiane të vendeve të rajonit", u shpreh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta.


Ndërkohë, zv.kryeministri u shprehu mirënjohjen autoriteteve greke për plotësimin e kuadrit ligjor që, sipas tij, kanë qenë në dobi të integrimit të plotë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vendin fqinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›