E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale ne Spanje Zapatero perballe humbjes

Qindra protestues që kanë qëndruar në sheshin e Madridit, Puerta del Sol, pa u larguar për gati një javë votojnë për zgjedhjet lokale në Spanjë, të cilat parashikohet t’i japin një goditje qeverisë socialiste të kryeministrit Zapatero.

Të mbështjellë me batanije, të rinjtë kanë kaluar edhe një natë tjetër nën sheshin e famshëm të Madridit. Protesta e tyre kundër shkurtimeve ne financat publike, ka qenë pika kulmore e fushatës për pushtetin vendor, pasi me ta janë bashkuar edhe njerëz të tjerë që janë prekur nga reformat qeveritare që tentojne te vënë në fre krizën financiare.

Protesta vjen nga të rinjtë sidomos për shkak të papunësisë, pasi gjysma e spanjollëve të moshës 18-25 vjeçare janë të papunë, që do të përkthehej në më shumë se dyfishi i mesatares europiane. Në lidhje me zgjedhjet lokale, ato janë të parat që kur qeveria kaloi një paketë të gjerë shkurtimesh financiare dhe reformash, që janë pritur mjaft keq nga publiku.

Protestuesit janë mbledhur edhe në Barcelona, Valencia, Seville, Bilbao dhe qytete të tjera, duke shkelur heshtjen parazgjedhore, dhe kanë kërkuar nga qytetarët të mos votojnë dy partitë kryesore spanjolle. Protesta të tilla janë të ndaluara në Spanjë, por qeveria nuk ka dërguar forca policore për t’i shpërndarë, duke iu druajtur një përshkallëzimi të tyre në dhunë.

Vetëm natën e së shtunës, në Plaza del Sol kanë qenë të pranishëm mbi 30 mijë protestues. Socialistët, mendohet se mund të humbasin mjaft në përbërjen e 8,116 këshillave bashkiakë dhe 13 nga 17 qeveritë rajonale nën votim.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›