E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Belgjikë, frikë për ndarjen e vendit

Sipas exit-polleve të para, nacionalistët flamandë, pro ndarjes së vendit, kanë fituar ndjeshëm

Në zgjedhjet parlamentare në Belgjikë, nacionalistët flamandë fituan ndjeshëm sipas rezultateve të exit-polleve të para. Në disa rajone të Flandrës, "Aleanca e re Flamande" nën Bart De Wever-in, në bazë të numërimit paraprak të votave rezulton si forca më e madhe. Kjo aleancë synon një Flandër autonome. Në vendin e dytë dolën socialistët. Në Valoni, në të kundërt, në bazë të numërimit të votave deri tani socialistët kryesojnë kundrejt liberalëve. Zgjedhjet e parakohshme u bënë të domosdoshme, pasi në prill qeveria e koalicionit u shpërbë për shkak të grindjes mes flamandëve që flasin holandishten dhe valonëve frankofonë. Flandra përbën 60% të Belgjikës me 10.5 milionë banorë dhe është një rajon më i fuqishëm ekonomikisht krahasuar me Valoninë. Shtatë milionë e e 726 mijë zgjedhës belgë u thirrën dje në votime në vendin e mbushur plot tensione pas shpërbërjes së koalicionit qeveritar dhe mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve të mëdha në vend, flamandëve dhe valonëve, për pakënaqësinë e tyre lidhur me gjuhën. Në veri dhe në jug të një “kufiri” linguistik të vendosur qysh prej vitit 1963, flamandët dhe frankofonët frekuentojnë shkolla me programe dhe metoda pedagogjike të ndryshme, shohin kanale të ndryshme televizive, votojnë për lista dhe parti të ndryshme, dhe nuk kanë asnjë mundësi tjetër identifikimi përveç monarkisë, qeverisë federale, kombëtares së futbollit, sigurisë sociale, bilancit dhe kryeqytetit Bruksel, i vetmi rajon i vendit ku fliten zyrtarisht dy gjuhë. Por, kurrë më parë se në këto zgjedhje Belgjikës i duhej të vendoste për të ardhmen e saj: kushdo që të fitonte, do të kishte si prioritet zgjidhjen e tensioneve mes flamandëve dhe valonëve, duke rënë dakord që, duke “prekur” institucionet federale, evitohet rëndimi i mëtejshëm i kësaj krize dhe përhapja e saj. Me pak fjalë, lind nevoja për të garantuar një stabilitet politik që shihet si një kusht i nevojshëm jo vetëm për të kryer me sukses detyrën e vendit që do të mbajë presidencën e radhës së Bashkimit Europian (nga 1 qershori deri në fund të vitit), por edhe për të evituar që Belgjika të hyjë në linjën e spekulimit të tregjeve. Duke qenë se borxhi publik është duke kaluar shifrën 100 për qind, një rritje taksash do të ishte e pashmangshme për vendin. Partitë favorite kryesore që garuan ishin nëntë, katër për frankofonët: liberalët e lëvizjes reformatore, socialistët, demokristianët e CDH, Të gjelbrit. Dhe pesë ishin për flamandët: kristian-demokratët (Cd&v), liberalët (Open-Vld), socialistët (Sp.A), të gjelbrit (Groen!) dhe nacionalistët e aleancës së re flamande(N-Va). Nuk përbënë shqetësim ekstremistët e së djathtës flamande të Vlaams Belang, që deri në rezultatin përfundimtar mendohet se do të qëndrojnë poshtë kufirit 15 për qind dhe kundër së cilës partitë e tjera kanë vendosur një “kordon” që e pengon të marrë pjesë në cilindo koalicion. Kreu i Aleancës së Re Flamande, De Wever, përshkruhet si një strateg që nuk synon fitoren personale dhe të menjëhershme, por duhet të kushtëzojë rëndë lojën politike, duke i shtyrë të tjerët të punojnë për të dhe idetë e tij. Në fillim ishte një nga mbështetësit kryesorë për ndarjen e vendit, autonominë e Flandrës dhe heqjen e zonës dygjuhëshe të Brukselit, ndërsa tani De Wever flet për "konfederalizëm", domethënë për transformimin e strukturës aktuale federale të Belgjikës në një konfederatë mes dy entiteteve kombëtare me më shumë autonomi të zonave aktuale. Edhe sipas sondazheve të fundit mendohej se flamandët e mbledhur në subjektin politik Aleanca e Re Flamande mund të fitonin numrin më të madh të deputetëve. Kjo parti angazhohet për ndarjen e Belgjikës. Në trojet e valonëve parashikohej që socialistët mund të fitonin më së shumti vota nga elektorati.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›