E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga dasma në mort, eksplozivi vret dy vetë

Grupi hetimor: Ende nuk po gjejmë vatrën. Dyshimet për lëndën plasëse, mes tavanit dhe televizorit Shpërthimi hodhi në erë gjysmën e banesës së familjes Xhebrahimi

Shpërthimi i fuqishëm në banesën e Xhevdet Xhebrahimit ka sjellë një tragjedi në familjen e tij, por ka tmerruar edhe gjithë banorët e zonës. Tragjedia ka ndodhur në “Saukun e Poshtëm”, në periferi të Tiranës, aty ku jeton kjo familje prej vitesh, në një vilë dykatëshe përballë shkollës. Familja Xhebrahimi ndodhej e gjitha brenda, veç nuses me foshnjën njëmuajshe, dhe sapo ishin kthyer nga dasma e një kushëririt të tyre, ku kishin kaluar pothuajse gjithë natën. Bashkë me kryefamiljarin Xhevdet Xhebrahimi, ndodhej gruaja e tij, vajza, djali, por edhe një kushëri i tyre, Luan Brahja, i cili kishte ardhur për të instaluar televizionin e ri, që sapo kishin marrë. Aty ka ndodhur shpërthimi që deri vonë nuk dihej nëse ishte bombol apo eksploziv, por dyshimet janë më të forta për lëndë plasëse.

Tronditet lagjja

Të lodhur nga dasma, kur ora po shkonte 09:00 e mëngjesit, në banesë ka mbërritur kushëriri i tyre, Luan Brahja, i cili punon shofer tek Ambasada e SHBA-së në Tiranë. 32-vjeçari, i cili është baba i tre fëmijëve dhe banon jo shumë larg shtëpisë së Xhebrahimit, ka hyrë brenda dhe bashkë me Xhevdetin dhe djalin e tij, Altinin, kanë filluar të vendosin një televizor të ri, që ata sapo e kishin marrë. Pa kaluar as 40 minuta, rreth orës 09:40, ata kanë dashur të fusin në prizë televizorin, por një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në banesë. Gruaja e Xhevdetit, Fatbardha 63-vjeçare, nuk ndodhej shumë larg, djali ishte ulur në kolltuk, ndërsa vajza, Shpresa, ishte në korridor. Të gjithë ndodheshin në katin e dytë të banesës. Bashkë me ta ndodhej edhe vajza e vëllait të Xhevdetit, 15 vjeçe. Ndërsa katin e parë të vilës e kishin lëshuar me qira. Aty nuk ndodhej asnjë. Shpërthimi ka qenë aq i fortë, sa të gjithë fqinjët janë shtangur. Të gjithë kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, kur kanë vënë re se gjysma e banesës ishte shembur. Menjëherë, njerëzit janë afruar për t’u dhënë ndihmën njerëzve që ndodheshin brenda, ku Fatbardha kërkonte ndihmë me zë të lartë. Shpërthimi kishte thyer edhe xhamat e makinave dhe të banesave pranë banesës private. Madje, tre djem të rinj, që punonin te lavazhi, janë shtrirë përtokë nga forca e trysnisë gjatë shpërthimit, ndërkohë që makinave që ndodheshin për t’u larë u janë thyer xhamat. Disa prej banorëve janë shtangur nga kjo, ndërsa të tjerë janë afruar për të ndihmuar familjen. Në moment është vënë re se Xhevdeti, rreth 65 vjeç, kishte ndërruar jetë në vend. Plagë të rënda kishte edhe kushëriri i tij 32-vjeçar, Luan Brahja. Ndërsa Fatbardha dhe dy fëmijët e saj kishin plagë më të lehta, bashkë me vajzën 15-vjeçare, që është mbesa e Xhevdetit. Ato janë dërguar të katërta në spital, ndërsa Brahja ka ndërruar jetë. Ai dhe kryefamiljari janë dërguar në morgun e Tiranës.

Hetimet e policisë

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar banesën ku ndodhi shpërthimi. Fillimisht në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr. 1, që mbulojnë këtë zonë, bashkë me zjarrfikësit. Më pas, gjithë drejtuesit e policisë kanë mbërritur aty, ku hetimet janë kryesuar nga drejtori Tonin Vocaj. Fillimisht, grupi hetimor ka ngritur dyshimet se shpërthimi ka ardhur nga një bombol gazi. Në katin e dytë ku ndodhi shpërthimi ishte bërë një gropë e madhe, e cila ishte bërë edhe lart në çatinë e mbuluar me tjegulla. Kjo ka sjellë dyshimet e policisë se shpërthimi kishte ardhur nga poshtë. Pak më vonë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e FNSH-së, të cilat, bashkë me uniformat blu kanë pastruar gjithë tullat e rrënuara nga shpërthimi, me qëllim për të gjetur vatrën ku kishte shpërthyer bombola. Megjithatë, asgjë nuk është gjetur. Madje, edhe pas shpërthimit nuk ka pasur aromë gazi, duke hequr dyshimet se mund të ketë qenë bombola. Këtu kanë lindur dyshimet se mund të ishte eksploziv dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët përkatës, që kanë nisur kërkimet. Por, siç shpjegojnë specialistët, nuk është gjetur asnjë vatër eksplozivi, pasi zakonisht pas shpërthimit ajo bën gropë në vatrën e saj. Hetimet e policisë kanë vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, por pa gjetur asnjë të dhënë për të vërtetuar shkakun e shpërthimit. Sipas të dhënave, ka dyshime se eksplozivi ishte vendosur në televizor, ose në tavanin e katit të parë, ku është bërë një vrimë e madhe. Megjithatë, policia nuk ka nxjerrë asnjë variant zyrtar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›