Kriza rëndon më shumë biznesin e vogël
Bizneset e vogla që veprojnë në Shqipëri duket se po përballen me më shumë vështirësi ekonomike në krahasim me biznesin e madh, gjë që i ka detyruar të ulin numrin e punëtorëve, bëhet e ditur nga një raport i detajuar i Ministrisë së Financave për periudhën janar-prill 2010. Statistikat tregojnë për rënie në qarkullimin e brendshëm të mallrave, pra rënie të konsiderueshme të shitjeve në krahasim me një vit më parë, si dhe për ulje të punësimit nga biznesi i vogël.
“Për sektorin privat, rritja e të punësuarve (mesatarisht në muaj) ka qenë 0.9 për qind mbi baza vjetore (dymujor 2010 kundrejt dymujor 2009). Megjithatë, brenda kësaj shifre, subjektet me TVSH kanë në rritje të kontribuuesve prej 6.6 përqindësh ndërsa subjektet e biznesit të vogël një ulje prej 11.9 përqindësh (shoqëruar dhe me ulje të pagës mesatare për efekt kontributesh prej 11.6 përqindësh)”, thuhet në analizën e përgatitur nga ekspertët e Ministrisë së Financave. Biznesi i vogël është një nga segmentet më vitalë në drejtim të punësimit të shqiptarëve. Rreth një në katër punëtorë i përkasin biznesit të vogël, kryesisht në tregti e shërbime.
Ka gjasa që kriza të mos jetë shkaku i vetëm i këtyre ndryshimeve. Qeveria vendosi të ulë pragun e klasifikimit të biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë dhjetorin e kaluar. Kjo do të thotë se bizneset që bëjnë xhiro mbi 5 milionë lekë, duhet të regjistrohen si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Një pjesë e bizneseve të vogla u mbyllën për fare apo u mbyllën për t’u riregjistruar nën një emër të ri, me qëllim që të shmangnin klasifikimin si biznes i madh.
Qarkullimi i mallraveProblemi më i madh me të cilin po përballen subjektet e biznesit të vogël gjatë këtij viti është ulja e fuqisë blerëse të popullatës. Analiza e ekspertëve të financave nënvijëzon faktin se qarkullimi i mallrave në ekonominë e brendshme, është ulur me 8.7 për qind, matur kjo me sasinë e shitjeve të regjistruara në administratën tatimore.
“Nga administrata tatimore për periudhën janar-prill janë mbledhur 9.7 miliardë lekë nga 11.5 miliardë lekë të planifikuara. Të ardhurat nga TVSH në tatime përbëjnë rreth 27.7 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH. Tatimet kanë realizuar planin e të ardhurave nga kjo taksë në masën 84.2 për qind. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, të ardhurat nga TVSH në tatime janë ulur me 0.9 miliardë lekë ose 8.7 për qind”, thuhet në analizë.
Rënie e mirëqeniesPërkeqësimi i standardit të jetesës së shqiptarëve gjatë vitit 2010 dallohet edhe në nivelin e të ardhurave të qeverisë nga taksat nacionale, ku dallohet numri i pronarëve të makinave që kanë kryer pagesën e taksës së qarkullimit si dhe numri i makinave të importuara.
“Për katërmujorin, 1.5 miliardë lekë janë mbledhur nga taksa e qarkullimit rrugor, ose 3 për qind më pak se një vit më parë”, – thuhet në analizë. “Të ardhurat nga taksa mbi importin e makinave të përdorura për periudhën janë 824.6 milionë lekë, 12.8 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë”, vijon më tej analiza e përgatitur nga zyrtarët e qeverisë.
Rritja e taksaveDeficiti i të ardhurave të qeverisë duket se është më i vogël se sa deficiti në xhepat e shqiptarëve të zakonshëm, për shkak se një pjesë e të ardhurave këtë vit janë siguruar nga taksat shtesë. Kjo vërehet edhe në faktin që pavarësisht krizës, të ardhurat në dogana kanë qenë shumë pozitive për qeverinë, sido që rritja e taksave nuk ka mjaftuar të kompensojë rënien e pësuar në qarkullimin e mallrave në ekonominë e brendshme.
“Të ardhurat në dogana kanë pasur ecuri të kënaqshme gjatë katërmujorit. Për këtë periudhë janë mbledhur në total 34.2 miliardë lekë nga rreth 35 miliardë lekë të planifikuara, ose duke realizuar planin në nivelin 98.7 për qind, si dhe 3.8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhe e vitit 2009 (me rritje 12.6 për qind)”, thuhet në analizën e Ministrisë.
“Në shtator të 2009-s, norma e akcizës mbi disa mallra u rrit: për kafen rritja ishte rreth 40 për qind; për pijet alkoolike (me forcë alkoolike ndaj volumit mbi dhe nën 12 për qind) rreth 50 për qind; për cigaret rreth 27 për qind. Edhe pse pjesërisht të kundërbalancuara nga ulja e importeve, këto rritje ndikuan në nivelin e të ardhurave të mbledhura për periudhën, krahasuar me një vit më parë”, vijon më tej analiza.
#