E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në FSHF, Halili-Vata binomi anti-Duka

Sipas zërave në ambientet sportive, mësohet se ka një aleancë mes Halilit dhe Vatës për të mposhtur Dukën. Sipas statutit të FSHF-së, për zgjedhjen e presidentit në raundin e parë duhen 2/3 e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk e arrin që në fillim këtë shumicë të cilësuar, është i nevojshëm raundi i dytë, ku mjaftojnë 50% plus një votë për t’u shpallur president.

Refik Halili dhe Rudi Vata mësohet se janë gati të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të bërë gjithçka kundër kreut aktual të FSHF-së. Kjo është arsyeja pse kanë kandiduar të dy. Sepse Armand Dukës (sikurse çdo kandidati tjetër) do t’i duhen 45 vota të delegatëve për të fituar që në raundin e parë. Aleanca Halili-Vata shpreson ta mposhtë Dukën në raundin e dytë.

Të drejtën e votës në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore e kanë 65 delegatë, që përfaqësojnë klubet shqiptare të kategorisë superiore, kategorisë së parë, kategorisë së dytë, Shoqatën e Futbollit Amator, Shoqatën e Mjekësisë Sportive, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe Shoqatën e Trajnerëve. Çdo klub futbolli ka të drejtën të një vote, pra të përfaqësohet vetëm nga një delegat (në zgjedhjet e kaluara klubet e superiores kishin dy delegatë).

Futbolli i Sallës ka një delegat. Çdo rajon (8 rajone gjithsej) i Futbollit Amator ka një delegat, Shoqata e Mjekësisë Sportive 1 delegat, Shoqata e Trajnerëve 1 delegat, Shoqata e Gjyqtarëve një delegat. Gjithsej janë 65 delegatë, që me votën e dytë do të zgjedhin strukturat drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›