E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Izrael, BBC: Regjistrohet pjesëmarrja më e lartë në histori, Netanyahu dhe Eisenkot në garë të ngushtë për kryeministër

Izraelitët po votojnë për zgjedhjet parlamentare që konsiderohen ndër më vendimtaret në historinë e vendit.

netanjahu

Sipas BBC, pjesëmarrja në votime ka arritur nivele rekord, ndërsa sondazhet e publikuara të premten tregojnë një garë të ngushtë mes kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu dhe ish-shefit të ushtrisë, Gadi Eisenkot.

Megjithatë, asnjëri prej dy kampeve politike nuk pritet të sigurojë 61 mandatet e nevojshme për të formuar qeverinë, çka mund të sjellë javë ose muaj negociatash për krijimin e një shumice parlamentare.

Fushata është dominuar nga çështjet e sigurisë dhe demokracisë, ndërsa zgjedhjet shihen gjerësisht si një referendum për qeverisjen e Netanyahut.

Gjatë ditës së votimit, Netanyahu ka publikuar vazhdimisht mesazhe në rrjetet sociale për pjesëmarrjen e lartë të raportuar të votuesve arabë. Ai e ka cilësuar situatën si një “emergjencë” dhe “çështje jete a vdekjeje” për të djathtën izraelite, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të votojnë.

Partia e tij, Likud, njoftoi se kishte kërkuar zgjatjen e orarit të votimit përtej orës 22:00. Nga ana tjetër, kampi i Eisenkotit e cilësoi këtë përpjekje si një mënyrë për të “përgatitur terrenin për pretendime që vënë në dyshim integritetin e zgjedhjeve”.

Edhe disa prej partive kryesore ngritën të martën në mëngjes pretendime për parregullsi në qendrat e votimit në të gjithë vendin. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael deklaroi se nuk kishte prova për manipulim sistematik të fletëve të votimit.

Dy kampe politike, pa një shumicë të qartë

Sistemi zgjedhor proporcional i Izraelit ka bërë që qeveritë të formohen gjithmonë përmes koalicioneve. Në këtë sistem, krijimi i aleancave mund të sjellë edhe bashkime të papritura mes forcave politike.

Gadi Eisenkot, drejtues i partisë së sapokrijuar Jashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, i përbërë nga parti me bindje të ndryshme ideologjike, por që kanë si synim largimin e Netanyahut nga pushteti.

Në këtë kamp bëjnë pjesë edhe ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, të dy politikanë të djathtë me qëndrime të ashpra për sigurinë, si dhe Yair Golan, ish-gjeneral me orientim të majtë.

Për Netanyahun, një nga figurat më jetëgjata të politikës izraelite, i cili mori për herë të parë postin e kryeministrit në vitin 1996, fitorja do të varej nga një tjetër aleancë me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse hebraike. Këto forca përbëjnë koalicionin aktual qeverisës, të cilësuar si më i djathti në historinë e Izraelit.

Në garë janë edhe dy blloqe të partive arabe. Arabët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë së Izraelit, ndërsa shumë prej tyre identifikohen si qytetarë palestinezë të Izraelit. Në teori, këto parti mund të luajnë një rol vendimtar në krijimin e shumicës parlamentare. Megjithatë, pothuajse të gjitha partitë kryesore hebraike kanë përjashtuar bashkëpunimin me to.

Një nga çështjet kryesore të fushatës ka qenë siguria kombëtare. Opozita ka kritikuar ashpër Netanyahun për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gaza.

Kundërshtarët e kryeministrit kanë kërkuar krijimin e një komisioni të pavarur hetimor për të zbardhur rrethanat e sulmeve, një nismë të cilës Netanyahu i ka rezistuar prej kohësh, duke pretenduar se një komision i tillë do të ishte i njëanshëm kundër tij.

Opozita ka ngritur gjithashtu shqetësime për demokracinë nën qeverisjen e tij. Netanyahu po përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat i mohon, ndërsa vijon të mbështesë reforma të debatueshme në sistemin e drejtësisë, që shkaktuan protesta masive përpara sulmeve të 7 tetorit.

Pavarësisht kritikave, Netanyahu e ka paraqitur sërish veten si garant të sigurisë së Izraelit, duke iu referuar asaj që i konsideron fitore strategjike në konfliktet e vendit në Lindjen e Mesme dhe marrëdhënies së tij të ngushtë me presidentin amerikan Donald Trump.

Të dielën, televizioni izraelit Channel 12 raportoi se Netanyahu kishte kërkuar një ndërhyrje të fundit ushtarake që mund të shkaktonte përplasje me Iranin përpara zgjedhjeve, por ishte kundërshtuar nga shefi i ushtrisë, Eyal Zamir. Të nesërmen, CNN raportoi se kryeministri kishte tentuar gjithashtu të bindte Trumpin të autorizonte sulme të reja ndaj Iranit, por presidenti amerikan nuk kishte dhënë miratimin. Netanyahu i ka mohuar të dyja raportimet.

Në ditët e fundit të fushatës, ai tërhoqi vëmendjen edhe me publikimin e një imazhi të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku paraqitej një bombë bërthamore që godiste Tel Avivin. Netanyahu paralajmëroi se ishte i vetmi udhëheqës që mund ta mbronte Izraelin “nëse iranianët sigurojnë armë bërthamore”. Eisenkot e cilësoi kryeministrin si “histerik”.

Një tjetër çështje e debatueshme është shërbimi ushtarak i burrave hebrenj ultraortodoksë. Qeveria e Netanyahut nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë që parashikon rekrutimin në ushtri të burrave ultraortodoksë që ndjekin studime fetare me kohë të plotë. Kjo çështje ka shkaktuar përçarje të thella në shoqërinë izraelite.

Në lidhje me Gazën, Eisenkot mban një qëndrim përgjithësisht të ngjashëm me atë të Netanyahut. Ai është zotuar t’i japë fund qeverisjes së Hamasit në territor brenda 18 muajve, përmes një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA-ja ose, nëse është e nevojshme, me mjete ushtarake.

Izraeli ka vijuar sulmet në Gaza pothuajse çdo ditë që prej arritjes së armëpushimit vitin e kaluar, duke deklaruar se shënjestron operativët e Hamasit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 74.000 persona që nga fillimi i luftës. Të dhënat e kësaj ministrie konsiderohen të besueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Veprimet e Izraelit në luftë kanë shkaktuar dënime të shtuara ndërkombëtare, ndërsa marrëdhëniet e vendit me aleatë në mbarë botën janë përkeqësuar.

Eisenkot mbështet në përgjithësi vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, ai kërkon masa kundër kolonëve ekstremistë hebrenj, sulmet e të cilëve kanë arritur nivele rekord, sipas të dhënave të OKB-së.

Ai ka folur gjithashtu për krijimin e kushteve për një formë autonomie ose një shtet palestinez me kompetenca të kufizuara, ndërsa kontrolli përfundimtar i sigurisë do të mbetej në duart e Izraelit.

Ndërkohë, zgjidhja me dy shtete, që parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez që bashkëjeton në paqe me Izraelin, është thuajse zhdukur nga debati politik kryesor në vend.

Është diskutuar mundësia që partitë arabe të mbështesin në mënyrë joformale një qeveri të pakicës të drejtuar nga Eisenkot. Por Lieberman, një nga aleatët e mundshëm kyç të tij, ka përjashtuar pjesëmarrjen në një marrëveshje të tillë.

Këto vija të kuqe politike e bëjnë të ndërlikuar krijimin e një shumice. Mbetet për t’u parë se çfarë lëshimesh dhe marrëveshjesh do të arrihen pas shpalljes së rezultateve.

Pjesëmarrje rekord dhe pasiguri për rezultatin

Sipas raportimeve, rreth 70.000 izraelianë janë kthyer nga jashtë vendit për të votuar, një numër i paprecedentë, ndërsa qindra mijëra qytetarë po votojnë për herë të parë.

Pas mbylljes së qendrave të votimit të martën, televizionet izraelite do të publikojnë exit poll-et, të cilat mund të japin një ide fillestare për rezultatin, por mund të ndryshojnë ndjeshëm nga shifrat përfundimtare.

Në të gjithë vendin, qytetarët pritet të ndjekin nga afër numërimin e votave. Partia Likud e Netanyahut do të mblidhet në Jerusalem, ndërsa Jashar e Eisenkotit, e krijuar vetëm vitin e kaluar, do të zhvillojë takimin e saj në Tel Aviv.

Edhe qindra mijëra ushtarë dhe rezervistë izraelitë po votojnë, por numërimi i shumë prej votave të tyre nuk pritet të nisë përpara së mërkurës. Kjo mund t’u japë një avantazh të vonshëm partive të djathta, të cilat mendohet se gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në këtë grup.

Megjithëse gara paraqitet kryesisht si një përballje mes Eisenkotit dhe Netanyahut, nuk përjashtohet mundësia që një tjetër udhëheqës politik të marrë postin e kryeministrit, nëse kushtëzon mbështetjen e partisë së tij për koalicionin me marrjen e këtij posti.

Një nga skenarët më të padëshiruar është bllokimi politik, në rast se asnjëri kamp nuk siguron shumicën dhe nuk arrin të formojë një qeveri pakice. Në këtë situatë, do të shpalleshin zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të qëndronte në detyrë si kryeministër i përkohshëm.

Izraeli e ka përjetuar më parë një situatë të tillë. Mes viteve 2019 dhe 2022, vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje, pasi partitë politike dështuan vazhdimisht të gjenin marrëveshje për krijimin e qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›