E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’pajtohen për zonat

Udhëheqësit e PDK’së, LDK’së, AAK’së dhe AKR’së bashkë me përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë folur për reformën zgjedhore gjatë një dreke pune të mërkurën. Por këto subjekte nuk ia dolën edhe të arrijnë ndonjë marrëveshje. Udhëheqësi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli ka thënë se vazhdojnë mospajtimet për zonat zgjedhore.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Blerim Shala e Ibrahim Makolli i AKR’së kanë drekuar të mërkurën bashkë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe kanë folur për reformën zgjedhore.

Takimi ku ka marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i BE’së në Prishtinë, Samuel Zbogar, Shefi i ICO’së, Peter Feith, Ambasadori britanik, Ian Cliff dhe Shefi i OSBE’së, Werner Almhofer, ka përfunduar pa kurrfarë marrëveshjeje.

Mospajtimet partive politike për numrin e zonave zgjedhore vazhdojnë të bllokojnë përfundimin e reformës elektorale.

PDK’ja ka propozuar 6 zona, LDK’ja 10, AAK’ja 1 ose 100, ndërsa Vetëvendosja 1.

Pas takimit ka folur vetëm udhëheqësi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli.

Ai ka thënë se me udhëheqësit e partive politike dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë vetëm kanë diskutuar.

“Nuk pati konsensus në këtë takim, pasi disa prej subjekteve politike theksuan se do të kenë debate edhe brenda subjekteve politike. Ajo çka është me rëndësi se u tregua një gatishmëri për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Disa prej subjekteve prezantuan qëndrimet që janë të njohura”, ka thënë Demolli pas takimit.

“U vendos që më 30 maj të mbahet një mbledhje e radhës, në të cilën do të diskutohet për propozimet që do t`i dorëzohen Komisionit për reformën zgjedhore”, ka shtuar ai.

Diskutimet për reformën zgjedhore i ka bojkotuar Lëvizja Vetëvendosje.

Nëpërmjet një njoftimi, VV’ja ka thënë se takimet e tilla nuk kanë për qëllim zhbllokimin, por pengimin e reformës zgjedhore.

“Çdo takim tjetër që nuk ndjek rregullat dhe procedurat e miratuara nga Kuvendi apo Komisioni, është i papranueshëm. Takimet mes liderëve për këtë çështje rrezikojnë të pezullojnë punën dhe funksionin e Kuvendit dhe komisioneve. Takimi është thirrur pa miratimin apo vendimin e Komisionit të ngarkuar me këtë çështje. Komisioni nuk ka marrë vendim dhe as nuk ka diskutuar se a duhet të ftohen apo jo liderët e subjekteve politike. Gjithashtu në këtë takim nuk janë ftuar anëtarët e Komisionit”, thuhet në njoftimin e VV’së.

Ndryshe, një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës ua ka vazhduar edhe për tre muaj mandatin Komisionit, i cili u kritikua ditë më parë nga BE’ja se nuk ka bërë asgjë substanciale sa i përket reformës zgjedhore.

“Duke pasur parasysh mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Europian për procesin e reformës zgjedhore në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE’së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE’së, të përfaqësuara në Prishtinë, shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial deri më sot, veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012″, është thënë në deklaratën e BE’së.

Reforma gjithëpërfshirëse për zgjedhjet është përmendur edhe në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE’së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2011, në të cilët është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.

Ndryshe, kërkesa për reformë zgjedhore është adresuar nga zyrtarët europianë, të cilët kanë kërkuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Në prill të vitit të kaluar, shumica e partive politike ishin marrë vesh për nisjen e një reforme zgjedhore, e cila është paraparë të përfundonte para dy javësh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›