E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza 6-mujore e policisë, problem vjedhjet, vetëvrasjet dhe dhuna në familje

Vjedhjet, vetëvrasjet dhe dhuna në familje kanë qenë tri nga pikat më problematike gjatë punës 6-mujore të këtij viti për Policinë e Shtetit. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, gjatë këtyre 6 muajve pre e dhunës në familje kanë rënë 258 persona, ku 7 prej tyre janë vrarë, ndërsa vetëvrasjet kanë shënuar një numër të madh, ku 73 persona kanë vendosur që t’i japin fund jetës së tyre. Ndërkohë, vjedhjet vazhdojnë të mbeten një pikë e dobët për punën e policisë, duke qenë se vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë kryer 1125 vjedhje të pronës dhe banesave, si dhe janë vjedhur 201 automjete. Megjithatë, edhe pse këto dy fusha vazhdojnë të mbeten problematike, Premçi bëri të ditur se ka një ulje të këtyre dy veprave. Ndërkaq, është rritur zbulueshmëria e veprave kriminale, teksa gjatë këtyre 6 muajve janë zbuluar 93% e krimeve kundër personit, si dhe janë shkatërruar 63 grupe kriminale, që ka çuar në prangat e policisë 280 persona.

Dhuna dhe vjedhjet

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një problem shqetësues për punën e policisë. Sipas statistikave të policisë, për 6 muajt e parë të këtij viti, dhuna në familje gjatë kësaj kohe ka shkaktuar 7 viktima, 6 të plagosur rëndë, teksa në total, 258 persona kanë rënë pre e dhunës në familje. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, bëri të ditur se për këtë vepër janë marrë një sërë masash parandaluese. Kështu, gjatë këtyre 6 muajve, policia ka përgatitur dhe ndjekur praktikat për 70 urdhra mbrojtjeje për të dëmtuarat nga dhuna në ambientet familjare. “Gjithsesi, dhuna në familja vazhdon të mbetet shqetësim, për vetë faktin se edhe gjatë kësaj periudhe, ndërmjet të tjerave janë evidentuar 7 vrasje, 6 plagosje të rënda, si dhe mjaft tendenca të tjera kriminale, të cilat kanë dëmtuar gjithsej 258 persona”, - bëri të ditur Premçi. Ndërkohë, problem shqetësues për punën e policisë mbeten edhe vjedhjet. Sipas statistikave të këtij 6-mujori, ka pasur 201 raste vjedhjesh automjetesh, 39 raste më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërsa vjedhje me dhunë, me pasojë vdekjen, ka pasur vetëm dy raste, nga 4 raste që ka pasur gjatë vitit të kaluar, për të njëjtën periudhë. Sakaq, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 1125 raste të vjedhjeve të pronës, teksa në krahasim me një vit më parë, janë 248 raste më pak, ndërsa zbulueshmëria e tyre është në masën e 48.2%.

Vetëvrasjet dhe vrasjet

Shqetësim për punën e policisë mbeten edhe vetëvrasjet, teksa vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti kanë ndodhur 73 raste vetëvrasjesh, si dhe 15 tentativa. “Mbetet shqetësues shkaktimi i vetëvrasjes. Për këtë periudhë janë evidentuar 73 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tentativës për vetëvrasje”, - u shpreh gjatë fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe janë zbuluar 93 % e krimeve kundër personit, dhe për më tepër 98 % të krimeve kundër shëndetit. Gjatë kësaj periudhe, Premçi bëri të ditur se është rritur bashkëpunimi me prokurorinë, ku në total nga Policia e Shtetit janë goditur për këtë periudhe 69 grupe kriminale, me 280 anëtarë. Kështu, gjatë këtij 6-mujori, janë kryer 17 operacione në fushën e antidrogës, 18 operacione për trafiqet e paligjshme, 20 operacione në fushën e korrupsionit dhe krimit ekonomiko-financiar dhe 13 operacione kundër krimeve të rëna. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 44 vrasje, teksa 38 prej tyre janë arritur të zbulohen. Nga këto, 24 vrasje kanë ndodhur me dashje, nga të cilat janë zbuluar 20, 17 vrasje janë kryer me paramendim, nga të cilat janë zbuluar 13, si dhe 3 vrasje kanë ndodhur nga pakujdesia, të cilat janë zbuluar që të tria.

Trafiku i drogës

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, bëri të ditur se një punë e mirë nga ana e policisë është bërë në kuadër të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike. Sipas tij, në krahasim me vitet e mëparshme ka rënë ndjeshëm sasia e drogës heroinë që tranzitohet nëpërmjet Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Kjo konfirmohet edhe nga statistikat e këtyre vendeve. Kështu, gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të autoriteteve italiane, nga Shqipëria për në Itali kanë hyrë 6 kg heroinë, 3 kg kokainë dhe 4 kg marijuanë. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe, oficerët e policisë kanë sekuestruar 47 kg heroinë, 813 gramë kokainë, 2008 kg marijuanë dhe hashash, si dhe janë asgjësuar 6712 rrënjë kanabis sativa. Ndërkohë, për këtë vepër janë prangosur në total 224 persona. Për trafik heroine gjatë kësaj periudhe ka pasur 56 raste, 82 autorë të arrestuar, ndërsa në lidhje me lëndën narkotike të hashashit dhe marijuanës, gjatë këtij viti janë evidencuar 87 raste dhe arrestuar 119 autorë. Për këtë vepër, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, janë kryer 17 operacione nga ana e policisë, që ka çuar edhe në sekuestrimin e sasisë së mësipërme të drogës.

Korrupsioni, rritet numri i zyrtarëve të prangosur

Gjatë këtij 6-mujori, për veprën e krimit ekonomik-financiar dhe korrupsionit janë goditur 20 grupe kriminale. Sipas statistikave të policisë, janë evidentuar gjithsej 1402 vepra penale me 1684 autorë të proceduar dhe janë arrestuar 269 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë evidentuar 557 vepra penale më shumë dhe u proceduan 727 autorë më shumë. Sipas Premçit, vend të veçantë ka zënë lufta kundër korrupsionit. Kështu, për këtë vepër penale janë evidentuar 232 vepra penale, me 377 autorë, prej të cilëve 61 të arrestuar, ose 266 vepra penale dhe 251 autorë të proceduar më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë, bëhet e ditur se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është trefishuar numri i punonjësve të administratës publike që janë proceduar penalisht. Për këtë periudhë janë proceduar 419 punonjës që ushtrojnë e kanë ushtruar funksione publike, prej të cilëve vetëm për veprën penale të korrupsionit janë arrestuar 38 funksionarë të administratës publike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›