E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në PD, në Korçë fiton Gjergji Papa

 

PD-ja e Korçës ka zgjedhur ish-kandidatin për kryebashkiak, Gjergji Papa si drejtuesin e saj për katër vitet e ardhshme. Dega e Korçës është e para degë e madhe e kësaj force që ka përfunduar procesin zgjedhor. Pedagogu i universitetit "Fan Noli", Gjergji Papa mori 312 vota kundrejt 151 që mori Andrea Mano, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit. Zgjedhjet janë ndjekur nga afër nga Bode, deputeti Spaho dhe i deleguari i kryesisë, Florian Xhuti. Në fjalën e tij para zgjedhjeve, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, kritikoi zyrtarët lokalë se nuk kanë reflektuar ndaj vërejtjeve që i janë bërë nga anëtarësia. "Të zgjedhurit dhe të emëruarit që përfaqësojnë PD-në, anëtarësinë e saj, nuk kanë ushtruar sa duhet përgjegjësitë që vijnë prej mandatit politik dhe nuk kanë reflektuar sa duhet ndaj vërejtjeve, sugjerimeve dhe propozimeve të bëra nga anëtarësia", tha Bode. Ai kërkoi nga stafi i ri që të ndalet në analiza më të detajuara, për të parë rezultatet e çdo njësie, komune apo bashkie dhe për të kërkuar përmirësimin e shpejtë të gjendjes. Bode u ndal dhe në arritjet e qeverisjes demokratike, duke nënvizuar se "qeverisja e PD-së dhe aleatëve të saj të djathtë mundësoi ndryshimin e dukshëm të Shqipërisë". Ndarja e shtetit nga krimi, dominimi i bandave të lidhura me pushtetin, u veçuan nga Bode si faktorë që i dhanë kredibilitet qeverisjes së PD-së për të vazhduar integrimin në strukturat euroatlantike. Sipas të dhënave të kësaj dege, gjatë gjithë procesit zgjedhor janë bërë 1800 anëtarësime të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›