“Porche 911 GT3”, publikohen fotografitë e para
Më i fuqishëm se kurrë, “Porsche” ka publikuar fotografitë e para të modelit “911 GT3” të avancuar. Ashtu siç pritet, ai do të përmbajë një sërë risish teknike duke u kthyer në modelin më të fuqishëm të kësaj kompanie. Motori atmosferik prej gjashtë cilindrash është rritur në katër litra, fuqia e zhvilluar ka arritur në 435 kuaj fuqi. Këto mjaftojnë që nga vendi i nisjes deri në 100 kilometra në orë të arrijë për 4.1 sekonda dhe shpejtësinë maksimale 309 km/h. Udhëheqja me automjetin po ashtu është përmirësuar falë sistemit të modifikuar të “Porsche Stability Management”, si dhe disqeve të mëdha të qeramikës për frenim. Premiera botërore e modelit “911 GT3” të ri është paralajmëruar për panairin e automjeteve të Gjenevës.
“Mini Crossover” merr dritën e gjelbër
Versioni konceptual u ka pëlqyer të gjithëve, prandaj prodhuesi gjerman “BMW” ka vendosur të bëjë edhe një version tjetër serik. Siç pohojnë te BMW-ja, koncepti “Mini Crossover” në panairin e automjeteve në Paris ka nxitur aq shumë përshtypje të mira, saqë vetëm një muaj pas tij ka marrë dritën e gjelbër për prodhim serik. Versioni serik do të duhej që zyrtarisht të paraqitet në panairin e Frankfurtit, i cili mbahet në muajin shtator të këtij viti. Blerësit do të mund të zgjedhin në mes dy versioneve: me tërheqje në boshtin e përparmë dhe në të katër boshtet. Përsa i përket çmimit, tani për tani mund të supozohet se Mini Crossover do të jetë i shtrenjtë, madje shumë i shtrenjtë.
31 Janar 2009