Zyrtarizohet rritja ekonomike 7.2%
Fabiola Çela
Rritja ekonomike për vitin 2008 është 7.2 për qind. Qeveria ka zyrtarizuar shifrën e rritjes ekonomike të vendit për vitin që lamë pas, shifër e cila ka ngjallur debate mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të Ministrisë së Financave, Bode.
Rritja ekonomike
Sipas një letre të dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria deklaronte se rritja ekonomike në 2008-ën është 6 për qind. Ndërkohë sipas një dokumenti zyrtar të miratuar nga vetë qeveria, thuhet se rritja ekonomikë në 2008-ën është 7.2 për qind, ndërsa rritja ekonomike deri në fund të muajit shtator është 9.9 për qind. Ndërkohë duke iu referuar të dhënave nga dokumenti zyrtar i qeverisë, totali i të ardhurave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2008, sipas aktit normativ është 27.7% të PBB-së, por sipas aktit normativ të rishikuar të ardhurat kanë pësuar ulje. Të ardhurat janë vetëm 27.5 për qind të PBB-së. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të ardhurat tatimore nga 25.1 për qind që ishin në aktin normativ të 2008-ës, gjatë rishikimit të aktit, i cili është bërë për efekt të rritjes ekonomike të ardhurat tatimore kanë qenë 24.9 për qind të PBB-së. Po ashtu edhe të ardhurat tatimore dhe doganore nga 19.5 në 19.3 për qind të PBB-së. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nga 9.9 në 9.8 për qind të PBB-së. Pra e thënë ndryshe, realizimi i të ardhurave ka qenë edhe pika e debatit mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Bode. Kjo pasi sa më e lartë të jetë rritja ekonomike, aq më e lartë duhet të jetë edhe rritja e të ardhurave ndaj PBB-së. Por të dhënat tregojnë se të ardhurat nuk kanë qenë dhe aq të larta siç pretendohet të jetë rritja ekonomike e vendit.
Debati
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive të zhvilluar pak ditë më parë, Kryeministri Berisha dhe ministri Bode u përfshinë në një debat, ku vunë në dukje dy qëndrimet e tyre të kundërta mbi rritjen ekonomike të vendit. Kryeministri Berisha ka ndërhyrë në momentin kur zv.ministri i Financave, Florjon Mima, i cili theksoi se rritja ekonomike për tre tremujorët e parë të vitit të kaluar është 7.2%. "Shifra nxirret nga institutet e statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti as ministri yt dhe asnjë njeri në qoftë se nuk i gjen gabimet apriori t'ia hedhësh poshtë, se të leverdis. Është një praktikë absolutisht e papranueshme", është shprehur Kryeministri Berisha. Por pas tij, kreu i Financave, Ridvan Bode, theksoi se gjatë kontakteve që ka pasur pikërisht me Institutin e Statistikave (INSTAT), rritja ekonomike për vitin e shkuar ishte shtatë deri në tetë për qind.
Berisha: Kujdes me uljen e normës së interesit
Kryeministri Berisha ka reaguar dje ndaj vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Reuters", kreu i qeverisë tha se "Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme në uljen e normës bazë të interesit në të ardhmen, pasi lëvizjet agresive mund të çojnë në uljen e kursimeve". Në fillim të kësaj jave, Banka Qendrore e Shqipërisë vendosi uljen e normës bazë të interesit me 0.5% nga 5.75% në përpjekje për të rritur ekonominë, ndërkohë që norma e interesit bazë u mbajt e pandryshuar në nivelin 6.25% gjatë vitit 2008. I pyetur për mundësinë e uljes së mëtejshme të normës bazë të interesit, Kryeministri Berisha u shpreh për "Reuters" se ka nevojë për një monitorim të zhvillimeve ekonomike duke shtuar: "Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse kemi nevojë për ruajtjen e kursimeve". Kryeministri Berisha i bëri këto komente pas takimit me Kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeldt në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, të cilit i kërkoi rritjen e investimeve suedeze në Shqipëri. "Shqipëria aktualisht nuk është e prekur nga kriza", tha Kryeministri Berisha. "Sistemi ynë bankar ka mjaft likuiditete, sepse bankat shqiptare nuk kanë dhënë kredi më shumë se 50-60 të depozitave të tyre".