Gërdeci, SHBA sjell dëshminë e Diverolit
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgji-thshme në Tiranë administroi në dosjen "Gërdeci" dëshminë e dhënë në SHBA nga presidenti 23-vjeçar i kompanisë AEY, Efraim Diveroli. Biznesmeni amerikan është përballur me më shume se 25 pyetje, të cilat i janë drejtuar në SHBA nga prokurorët federalë. Ata kanë lexuar pyetjet e shkruara në Tiranë nga prokurorët, që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit dhe më tej, kanë kërkuar sqarime nga biznesmeni 23-vjeçar Efraim Diveroli, i cili bleu fishekë nga Shqipëria me fondin prej 300 milionë dollarësh të vënë në dispozicion nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Më 11 prill 2008, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë hartoi një letërporosi, e cila u dërgua në adresë të Prokurorisë federale amerikane përmes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Letërporosia përmbante një dokument në gjuhën angleze, të hartuar në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, e cila kishte renditur rreth 25 pyetje të cilave Efraim Diveroli duhej t'u jepte përgjigje. Në kuadër të marrëveshjeve dhe konventave të përbashkëta, Prokuroria shqiptare u kërkoi prokurorëve amerikanë ta marrin në pyetje Diverolin dhe më pas sqarimet e tij t'i përcjellin në Tiranë për llogari të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës thanë dje, se autoritetet amerikane kanë kthyer përgjigje për letërporosinë e dërguar 9 muaj më parë nga Prokuroria shqiptare. "Dëshmia e Efraim Diverilit ka mbërritur në Tiranë në rrugë diplomatike dhe është administruar në dosjen Gërdeci në cilësinë e provës materiale", thanë burimet nga prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, rrëfimi i biznesmenit amerikan është përkthyer në Ministrinë e Drejtësisë dhe në versionin e gjuhës shqipe, dëshmia ka hyrë në dosjen "Gërdeci".
Diveroli fajëson Tiranën
Presidenti i kompanisë AEY, e cila është vendosur në hetim federal në SHBA për shkelje të ligjit, që ndalon importin dhe tregtinë e armëve dhe municioneve kineze, në dëshminë e tij të mbërritur në Tiranë, ka fajësuar Qeverinë shqiptare dhe ndërmarrjen e Ministrisë së Mbrojtjes MEICO. Kohët kur Diveroli bënte transaksione miliona dollarëshe me ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, duket se kanë marrë fund. Biznesmeni amerikan, i konsideruar nga shtypi vendës si një personazh kontravers ka hedhur akuza në adresë të palës shqiptare dhe ndërmarrjes MEICO, duke thënë se "ata më kanë shitur municion kinez pa dijeninë time". Kontrata që Efraim Diveroli kishte lidhur me Departamentin amerikan të Mbrojtjes, theksonte se me fondin prej 300 milionë USD ai duhej të blinte municion të dobishëm dhe të saktë, që nuk vinte nga një kompani apo markë kineze. Fishekët e Kallashnikovit që bliheshin nga Diveroli janë përdorur për të furnizuar forcat aleate të sigurisë në Kabul. Tragjedia e Gërdecit dhe më pas një artikull i gazetës prestigjioze amerikane "New York Times", u bënë shkak për hapjen e hetimeve mbi këtë skandal edhe në SHBA. Hetimi zbuloi se me 300 milionë USD të marra nga Departamenti i Shtetit, Efraim Diveroli kishte blerë fishekë kinezë nga ndërmarrja MEICO në Tiranë, duke shkelur ligjet amerikane dhe duke vënë në rrezik edhe forcat aleate në Kabul, për shkak se municioni ishte i vjetërsuar dhe shpeshherë i rrezikshëm. Dëshmia e Efraim Diverolit është kërkuar për hetimet që po zhvillohen mbi tragjedinë e Gërdecit, për shkak se Prokuroria shqiptare po heton mundësinë se me shitjen e fishekëve t'i jetë shkaktuar dëm shtetit shqiptar dhe së dyti, për shkak se në Gërdec ashtu si në Rinas, dyshohet se janë paketuar dhe u janë hequr mbishkrimet kineze, fishekëve që niseshin më pas me avionë nga Rinasi për në Afganistan.
Tregtari i armëve rrëfen takimet në Tiranë për biznesin e armëve
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme ishte shumë e kujdesshme dje, duke mos bërë publike zyrtarisht asnjë të dhënë nga deklarimet që ka formuluar Efraim Diveroli. Megjithatë, mësohet se në dëshminë e tij janë përmendur emra të njohur të jetës publike në Tiranë, ndërsa janë konfirmuar dy takime që ai ka pasur me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmarrjes MEICO, në kryeqytetin e Shqipërisë. Mësohet se dëshmia e Diverolit përmban në mënyrë të detajuar pjesëmarrësit në këto takime, objektin e bisedave dhe vendimet që janë marrë në to. Mësohet se në dëshminë e tij Diveroli ka konfirmuar bisedën e përgjuar mes tij dhe biznesmenit të vdekur Kosta Trebicka, në të cilën për herë të parë u fol për hyrjen e Mihal Delijorgjit në tregtinë e fishekëve, që shkonin nga Shqipëria në Afganistan, madje edhe për fshehjen e origjinës kineze të municioneve. Diveroli pranon se në prill 2007 ka fituar një tender nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për të blerë armë dhe prodhime ushtarake, me qëllim furnizimin e forcave aleate në Afganistan. Presidenti i kompanisë AEY shpjegon më tej në dëshmi, se ka verifikuar në tri vende të ndryshme të Evropës përfshi edhe Shqipërinë ku ka marrë kontakt me biznesmenin Kosta Trebicka të cilin e ka përzgjedhur pasi mori konfirmimin se MEICO kishte në gjendje për shitje municione nga lloji i kërkuar prej kompanisë AEY. Diveroli pohon se ai vazhdoi të blinte fishekë ndërsa tre muaj më pas mësoi se në maj-qershor, kontraktori i pajisur me prokurë prej tij, Kosta Trebicka ishte larguar nga ky aktivitet pas mosmarrëveshjeve me drejtorin e ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari. Ky i fundit kishte futur në lojë në fakt një kompani qipriote të quajtur "Evdin lid", duke dyfishuar me hyrjen e saj në këtë biznes edhe çmimin për 100 fishekë, nga 22 USD në 40 dollarë. Deri në këtë kohë, arkat me fishekë ishin hequr nga mbajtëset e drurit dhe ishin vendosur në kuti kartoni, në mënyrë që të mos peshonin në avionët e transportit që ngarkoheshin në Rinas. Gjatë kësaj kohe inspektimet në Kabul zbuluan faktin se municionet që shkonin nga Shqipëria ishin kineze dhe mbi 30-vjeçare të vjetërsuara. Por menjëherë më pas, me hyrjen e Mihal Delijorgjit në këtë aktivitet dhe të kompanisë "Evdin lid", arkat e fishekëve ku shkruhej "Made in China" janë përpunuar duke u hequr mbishkrimet. Në përgjimin e bisedës mes biznesmenit Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit duket se ky i fundit kishte dijeni për këtë, megjithatë në dëshminë e tij të ardhur në Tiranë, një fakt i tillë nuk përmendet. Dosja e ardhur nga SHBA me rrëfimin e Diverolit, përmban edhe sqarimet e tij për vizitën në Tiranë ku është pritur në Rinas nga Ylli Pinari. Në 17 maj 2007 Efraim Diveroli erdhi në Shqipëri ku është pritur në Rinas nga Ylli Pinari. Ai ka zhvilluar një takim në një apartament me drejtorin e MEICO, Mihal Delijorgjin dhe përfaqësuesin e AEY në Tiranë bashkë me disa persona të prezantuar si zv/ministri i Mbrojtjes dhe të afërm të pushtetarëve. Në këtë takim, është firmosur një kontratë për shitje direkte të fishekëve me çmimin 26 dollarë për 1 mijë copë. tr.so
E-maili i Diverolit: Shqiptarët më mashtruan
TIRANE - Pronari i kompanisë amerikane të tregtisë së armëve AEY dhe avokati i tij Howard Srebnick, kanë hedhur poshtë akuzat, duke bërë përgjegjëse palën shqiptare, për shkak se ata "nuk kanë pasur dijeni që arsenali ushtarak i blerë, të ketë qenë prodhim kinez". Në prill 2008, Efraim Diveroli dhe tre bashkëpunëtorë të tij në kompaninë AEY, u arrestuan në Majami me urdhër nga Prokuroria federale. Në deklaratën e publikuar nga avokati i Efraim Diverolit, pa u përmendur emra konkretë, thuhet se pala shqiptare ka mashtruar duke thënë se fishekët, që po i shiste palës amerikane dhe kompanisë AEY ishin prodhime të tjera dhe jo kineze. Akuza ndodhet në një e-mail elektronik që avokati Howard Srebnick, mbrojtës i Diverolit, i dërgoi qeverisë amerikane pas arrestimit të klientit të tij si i pandehur për akuzën e mashtrimit në tregtinë e armëve, që bliheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Kabul. "Klienti im nuk ka blerë asnjë lloj municioni të prodhimit kinez, qoftë 'direkt apo indirekt', nga asnjë kompani ushtarake komuniste kineze, por ia ka blerë produkt të ofruar nga qeveria shqiptare", shkruante avokati i Diverolit, Srebnick në e-mail-in që i drejtoi autoriteteve amerikane. Avokati ka shkuar më tej në deklaratën e tij duke pohuar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se pala shqiptare ka qenë në dijeni të fakteve dhe origjinës së municionit kinez, por kishte deklaruar ndryshe me qëllim shitjen e fishekëve.