Në Vjenë si tokë e panjohur

Planifikimit, ndërtimit dhe jetës së Tiranës i kushtohet një ekspozitë në Vjenë. Koleksioni i fotove të Artan Lames u shërben vizitorëve me një udhëtim nëpërmjet kujtimeve në të shkuarën e kryeqytetit. Të ftuar arkitektët Velo dhe Shkreli
Në Vjenë, në Exhibition Centre in the Ring Tower, u hap dje një ekspozitë që prezanton arkitekturën e Tiranës, kryeqytetit të një vendi pak të njohur për kulturën pritëse, Shqipëria.
"Architekture in the Ring Tower" quhet seria e ekspozitave që organizon Vienna Insurance Group, me qëllim njohjen nëpërmjet një udhëtimi arkitekturor të vendeve të Evropës Jugore dhe Qendore, duke u fokusuar edhe në një zonë më jugore, e quajtur "terra incognita" e Evropës që shtrihet aty ku takohen ujërat e Adriatikut dhe Mesdheut. Nga Shqipëria janë ftuar për një prezantim arkitektët Maks Velo dhe Artan Lame dhe Artan Shkreli për koleksionin e tij historik.
Ekspozita e quajtur "Tirana - Plan, Build, Live" është konceptuar dhe kuruar nga Adolph Stiller dhe Katia Accossato, dy arkitektë që kanë vizituar disa herë Tiranën. Ata paraqesin anë të ndryshme të planifikimit të sotëm urban të qendrës shqiptare, të hapësirave të saj publike dhe "dinamikën e jashtëzakonshme, të cilën e ilustrojnë shumë ndërtime "informale" në qytet".
Stiller shprehet në konceptin e tij se nëpërmjet fotografive, skicave dhe programeve të planifikimit urban përgjatë historisë së qytetit, realizohet një dialog vizual i të shkuarës me të tashmen. "Imazhet e sotme tregojnë se kemi të bëjmë me një realitet të strukturuar në mënyrë të tillë që ta bëjnë të vështirë ta përfytyrosh në plane".
Kuratorët kanë shfrytëzuar foto të vjetra në format të madh nga koleksioni i Artan Lames për të sjellë në përfytyrimin e vizitorëve një qytet që dikur ka pasur politikë të planifikimit urban.
Ndryshimet demografike të qytetit, migrimi intensiv drejt Tiranës, i ndërruan në mënyrë dramatike fytyrë në njëzet vitet e fundit. Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave, qysh prej vitit 1990 migrimi drejt qendrës rritet 7-9 për qind çdo vit. Kështu që ekipi i vogël i administratës së urbanistikës ka qenë nën presionin e jashtëzakonshëm të iniciativave private.
U ngritën mbi 500.000 ndërtesa ilegale, fenomen paralel me boom-in ilegal të investimeve në gjithë vendin, por sidomos në kryeqytet. Shtoji kësaj trafikun e rënduar.
Kuratorët i kanë marrë parasysh këto të dhëna para se të ndërtonin ekspozitë duke e pasur të japin një tablo e qartë të aktualitetit të qytetit.
Ata janë përpjekur që nëpërmjet burimeve të tyre në Shqipëri të krijojnë dhe një histori të lidhjeve austro-shqiptare, sado të dobëta, që kanë ekzistuar në drejtim të studimeve fillestare për një planifikim urban. Përmenden arkitektë austriakë që u përfshinë këtu deri në vitet 1930.
Për shembull, në Tiranë kujtohet e ashtuquajtura Shkolla Amerikane e projektuar arkitekti austriak Hans Köhler. "Edhe sot, njerëzit kanë qejf të vënë në dukje si me të qeshur se austriakët ndërtuan mbi 900 km rrugë vetëm në katër vjet, ndërsa perandoria otomane në 600 vjet sundim me zor bëri 4 kilometra", përmend Stillet në konceptin e tij.
Vizitorët e ekspozitës "Tirana - Plan, Build, Live" ndjekin një linjë të zhvillimit, ndërtimit dhe planifikimit urban në vitet '30-'40 falë arkitekturës italiane që ka lënë gjurmë në rrugët e gjera, në bulevardin dhe sheshet kryesore. Ato ruajnë solemnitetin me ndërtesat ministrore përanash edhe në periudhën e gjatë të regjimit diktatorial. Pastaj kjo linjë përmbyset: hapësira e zbrazët popullohet dhe brenda saj krijohet një figuracion kaotik.
Mbipopullimi mbyll trekëndëshin e këtij zhvillimi që demonstrohet: në mënyrën si ndërtohet, si (nuk) planifikohet dhe si jetohet. Brenda kësaj tabloje që shkon pas në histori dhe kthen sërish në të tashmen, është parë jeta e njerëzve. Dhe ekspozita pretendon ta ketë dhënë edhe këtë aspekt të gjallë dhe të larmishëm mesdhetar të jetës në kryeqendrën shqiptare.
"Tirana - Plan Build Live", rri e hapur për publikun nga sot deri më 17 shtator. Botohet me këtë rast një katalog, nën kujdesin e Adolph Stiller-it, me kontributin e Katia Accossato-s, Besnik Aliajt & Sotir Dhamos nga Universiteti Polis i Tiranës, Maks Velos, Artan Shkrelit etj. Ka 144 faqe, shumë imazhe të skica të pabotuara. Kushton 25 euro.