Zgjedhjet në Preshevë, shqiptarët votojnë me flamurin kombëtar

Lajmin e bën me dije agjencia kosovare “Presheva Jonë”, e cila raporton se në disa vendvotime të Kosovës, ku po votojnë pakicat serbe, si në veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok janë vënë flamujt e Serbisë.
Por, sipas agjencisë në disa qendra votimi në Luginën e Preshevës janë vendosur flamuj kombëtar dhe të Kosovës.
Gazetarët e agjencisë kanë fotografuar një lider shqiptar, i cili po votonte në zgjedhjet lokale serbe para flamurit kombëtar.
Pas votimit me të qeshur lideri i LPD-së Jonuz Musliu, mësohet të ketë thënë se “në 6 maj ka zgjedhje edhe Kosova edhe Serbia. Kjo këtu është Kosovë Lindore”.
“Ne këtu jemi shqiptarë dhe është drejtë e jona të dalim me flamurin tonë kombëtar në zgjedhje. Pardje në Tërnovc e Breznic kemi parë automjetet policore me flamuj të Serbisë, të cilët rrethuan fshatrat tona shqiptare, i bastisën, i keqtrajtuan, dhe arrestuan bijtë tanë. Tash ne shqiptarët nuk di pse duhet më ta përdorim atë flamur”, deklaroi kryetari i LPD-së Jonuz Musliu, njëherësh kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanovcit.
Shqiptarët e Luginës votojnë për Zukorliqin?
Subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës, po marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ndërkohë “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” po merr pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare.
Për zgjedhjet presidenciale në Luginë raportohet se disa nga shqiptarët, do ta përkrahin Myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliqin, për president të Serbisë, raporton agjencia e lajmeve INA.
Mediet shqiptare nga Lugina raportojnë se në komunën e Bujanocit janë paraqitur disa probleme me listat e votuesve. Qytetarët shprehin mllefin e tyre duke thënë se kjo është bërë me qëllim të uljes së numrit të votuesve shqiptarë. Ata kanë thënë se në listat e votueseve ka raste ku nuk gjendet fare emri, pavarësisht asaj që i kanë pranuar ftesat për të votuar.
Këto zgjedhje posaçërisht të rëndësishme janë për komunën e Bujanocit ku përqindja mes shqiptarëve dhe serbëve është pothuajse e barabartë. Kjo komunë e cila është udhëhequr prej dy mandatesh nga shqiptarët, rrezikon këtë herë të merret nga serbët, për shkak se shumë shqiptarë nga lugina janë shpërngulur drejt Kosovës.