Zgjedhjet në Serbi nën hijen e parregullsive, regjistrohen mbi 300 raportime
Mbi 300 raportime për parregullsi janë regjistruar gjatë ditës së zgjedhjeve në Serbi, deri në orën 20:00. Të dhënat janë bërë publike nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), e cila po monitoron procesin zgjedhor.

Sipas CeSID-it, shqetësimet përfshijnë votimin jashtë vendvotimeve, raste të raportuara të votimit pa paraqitur letërnjoftimin, fotografimin e fletëvotimeve, si dhe votimin familjar dhe në grup.
Probleme janë raportuar edhe në funksionimin e këshillave zgjedhorë dhe pajisjeve për verifikimin e votuesve. Në disa raste, sipas organizatës, janë evidentuar ndërprerje të procesit dhe vështirësi për qytetarët në ushtrimin e së drejtës së votës.
CeSID bëri të ditur se do të vijojë monitorimin dhe verifikimin e raportimeve për të sqaruar rrethanat e rasteve të evidentuara.