Zgjedhjet parlamentare në Serbi mes parregullsive e dhunës, Ambasada e Kanadasë në Beograd: Autoritetet të garantojnë sigurinë e votuesve
Ambasada e Kanadasë në Serbi ka shprehur shqetësim për incidentet e raportuara të dhunës në dhe pranë qendrave të votimit, në një kohë kur vendi po zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ambasada e Kanadasë është e shqetësuar për incidentet e raportuara të dhunës në dhe pranë qendrave të votimit. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të garantojnë sigurinë e të gjithë personave që ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Procesi zgjedhor në Serbi po shoqërohet me raportime për parregullsi dhe incidente në disa zona të vendit. Sipas organizatës vëzhguese CeSID, deri në orën 11:00 të së dielës ishin regjistruar më shumë se 120 parregullsi në 750 qendra votimi të monitoruara. Ndër shqetësimet e raportuara janë shkeljet e fshehtësisë së votës, fotografimi i fletëve të votimit dhe problemet me listat zgjedhore.
Në Beograd janë parë gjithashtu automjete të Xhandarmërisë serbe të pajisura për kontrollin e trazirave dhe shpërndarjen e protestuesve.