“Policia ka ushtruar dhunë barbare ndaj studentëve” – Pedagogu: Shteti po bën luftë kundër popullit të tij! Kryeministri të vetmen forcë që ka janë plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës
Pedagogu Ilir Pecnikaj, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestës së tyre një ditë më parë në Tiranë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai theksoi se policia nuk mund të qëllojë me plumba gome në mes të turmës, ndërsa shtoi se vendi ndodhet në prag të një lufte civile, ku shteti po bën luftë kundër popullit të tij vetëm sepse është ngritur kundër qeverisjes.
Ai e cilësoi rininë si një brez të jashtëzakonshëm, ndryshe nga si e etiketon kryeministri Edi Rama. Pedagogu shtoi se kryeministri të vetmen forcë që ka është të përdorë forcat “Shqiponja”, të cilat i cilësoi si më të dhunshmet ndaj të rinjve, si dhe plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës kundër tyre.
“Kam njohur një brez të jashtëzakonshëm. Nuk është ajo rinia injorante që thotë kryeministri. Sot ky brez po mëson vetveten se si të jetojë më mirë. Pra ka një mënyrë komplet tjetër të të menduarit. Po të mos kishte ndodhur një gjë e tillë nuk do ta kisha njohur kurrë. Duan të jetojnë të lirë në vendin e tyre.
A ekziston një kryeministër i tillë në të gjithë Evropën që të gjithë forcën e tij e ka të mbështetur në batalionin e tij të Shqiponjave. Ai të vetmen forcë që ka e ka te manganeli i këtij grupi policie, te plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës.
Përdorimi i plumbave të gomës edhe në strukturat e policisë nuk mund të drejtohet kurrë në turmë. Gazi lotsjellës në konventën e Kombeve të Bashkuara në 1993 është ndaluar rreptësisht dhe është krim lufte. Përdoret në raste ekstreme”, tha ai.