E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, në tetor zbardhen financimet

17/08/2009  Kodi detyron ekspertët të nisin “hetimin” në mes të shtatorit

Dhurimet për fushatën, hap i fundit për raportin e OSBE/ODIHR-it

Në mesin e muajit tetor të këtij viti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zbardhë financimet që subjektet zgjedhore kanë përdorur për fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Afatet janë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili parashikon me afate të qarta kohën e fillimit të auditimit të fondeve të përdorura nga ekspertët kontabël, si dhe kohën e publikimit të raporteve të auditimit nga këta ekspertë. Kodi zgjedhor nis me detyrimin e subjekteve zgjedhore për t’i regjistruar fondet e tyre jopublike që do të përdorin për fushatën zgjedhore dhe vijon me procesin e auditimit të këtyre fondeve. “Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja emëron me short një apo më

shumë ekspertë kontabël të licencuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të

përcaktuar në vendimin e emërimit. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse”, - thuhet në nenin 91 të ligjit për zgjedhjet. Për këtë qëllim subjektet zgjedhore kanë detyrimin ligjor të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore. Verifikime të të dhënave të raportit mund të bëjë edhe KQZ-ja, verifikim i cili mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet. Siç është deklaruar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë, zbardhja e financimit të zgjedhjeve nga fondet jopublike do të përbëjë një moment tjetër të rëndësishëm për vlerësimin përfundimtar të procesit zgjedhor në vendin tonë. Pothuajse 8 javë pas mbylljes së procesit, OSBE/ODIHR-i do të nxjerrë një raport të plotë përfundimtar.

Kthimi i fondeve

Kapitulli i financimeve publike përfshin edhe rishpërndarjen e fondeve publike të dhënë nga qeveria për zgjedhjet e 28 qershorit, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve. Kështu, deri më 31 gusht AD, PAA, PDK, PDS dhe PSD duhet të kthejnë pranë KQZ-së një shumë prej 12.7 milionë lekë, të cilat i përfituan nga Buxheti i Shtetit për të zhvilluar fushatën elektorale në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Fondet e kthyera u rishpërndahen partive politike, të cilat kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, përcaktohet në nenin 87 të Kodit.

Komisioni verifikon mandatet brenda 2 ditëve

Kryeministri Berisha, drejtuesi i seancës së parë të legjislaturës

Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit do të drejtohet nga kryeministri i vendit, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Si deputeti më i vjetër në moshë Rregullorja e Kuvendit i njeh atij të drejtën e zhvillimit të seancës së parë të legjislaturës së Kuvendit, si dhe të betimin para tij të të gjithë deputetëve të kësaj legjislature deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Teksti i betimit lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen në këmbë dhe të deklarojnë “Betohem”. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Njëkohësisht, e njëjta rregullore njeh të drejtën edhe të mospranimit apo në mungesë të drejtimit të mbledhjes së parë nga deputeti që është pas tij në moshë. Referuar listës fituese të deputetëve të Kuvendit, në këtë rast i takon deputetit të Partisë Socialiste Et’hem Ruka që të drejtojë seancën e parë. Hapja e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Shqipërisë është bërë nga deputeti Lefter Xhuveli, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit humbi të drejtën e përfaqësimit të tij në Kuvend. Në mbledhjen e tij të parë, Kuvendi zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve. Pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›