E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miço: Dule të largohet, humbi zgjedhjet

15/08/2009  Rihapen debatet brenda radhëve të PBDNJ-së

“Nënshkroi marrëveshje të fshehtë me Ramën 8 muaj para zgjedhjeve”

Rishfaqen sërish debatet brenda radhëve të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Përplasjet mes eksponentëve të kësaj partie sa vijnë e bëhen më të ashpra, duke pasur në qendër të mosmarrëveshjeve pikërisht qëndrimet e mbajtura nga kreu i kësaj partie. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shigjetuar ashpër nga pjesa tjetër e lidershipit të kësaj partie që gjatë fushatës elektorale, por sidomos pas përfundimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për shkak të marrëveshjes parazgjedhore që ky i fundit nënshkroi me Partinë Socialiste. Referuar rezultatit që PBDNJ-ja mori në këto zgjedhje, zërat kundër Dules janë gjithnjë në rritje. Nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Thoma Miço i mëshoi me forcë faktit se kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Gjatë një prononcimi për mediet Miço u shpreh se “Dule doli nga koalicioni me PD-në për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë që kishte bërë me Edi Ramën 7-8 muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë në organet drejtuese të partisë”. Sipas Miços, Dule kishte përgatitur dhe skenarin përmes të cilit do të mbante të fshehur marrëveshjen mes tij dhe kreut socialist Rama. “Për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë zotit Rama për të qenë në koalicion me të majtën, ai priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në që të aludonte se pikërisht përçarja ose divorci politik me Sali Berishën ka për shkak këtë marrëveshje”, - vuri në dukje Miço lidhur me një çështje të tillë. Ndërkohë Miço bëri me dije dhe një tjetër veprim të Dules, që lidhej pikërisht me çështjen çame. “Dule është futur në bisedime edhe me krerët e PDI-së, duke u premtuar atyre se pas ndryshimeve politike në Greqi do të negociojë për zgjidhjen e problemit të tyre për pronat. Kjo është një çudi që, nëse do të ishte e vërtetë, do të thotë se zoti Dule ka marrë një përgjegjësi shumë të madhe”, - vlerësoi Miço. Përplasjet brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut patën nisur kohë më parë, konkretisht kur Dule kërkoi që të zëvendësonte në detyrën e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Kosta Barkën me Anastas Duron. Pas kësaj kërkese Barka dhe Miço akuzuan Dulen se po punonte në kundërshtim me statutin dhe me frymën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Madje, kjo forcë politike hasi në një konflikt jo pak të vogël edhe për sa i përket bashkëpunimet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi një grup kërkoi të bashkëpunonte me Berishën, ndërsa pjesa tjetër nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Socialiste. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut gjatë 4 vjetve të kaluar ka qenë pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës, ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit nënshkroi marrëveshjen elektorale me PS-në, duke u bërë pjesë e koalicionit të majtë. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit PBDNJ-ja fitoi mandatin e një deputeti dhe sipas të dhënave zyrtare pjesë e kuvendit të ri do të jetë pikërisht kreu i kësaj partie, Vangjel Dule.

Kërkesa

Nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Thoma Miço, ka kërkuar dorëheqjen e kreut të PDDNJ-së, Vangel Dule. Kështu, nën po këtë cilësi Miço vlerësoi se kongresi i jashtëzakonshëm, që do mbahet në shtator, do të kërkojë largimin e Dules nga drejtimi i partisë, pasi ka humbur zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjithashtu Miço bëri me dije se do të hedhë kandidaturën për kryetar të kësaj partie.

Qëndrimi

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi se Thoma Miço nuk mund të garojë për kreun e partisë, pasi nuk është më anëtar i kësaj partie. Po në këtë linjë, Dule shkoi më tej duke vënë në dukje se Miço nuk ka asnjë funksion në PBDNJ. Sipas tij, Miço duhet ta ketë fjalën për Partinë Demokratike, pjesë e së cilës është bërë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›