E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, nis rinumërimi i votave në 40% vendvotime

PRISHTINE-Pas ankesave dhe kontestimeve të shumta, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) vendosi të shtunën pasdite për rinumërimin e votave nga gati gjysma e vendvotimeve në nivel vendi.
Lajmin e kanë bërë të ditur sot mediat kosovare, që citojnë se pas anulimit komplet të disa vendvotime në 5 komuna të Kosovës, për parregullsi, votat nga 40 për qind e vendvotimeve në tërë vendin do të numërohen përsëri.
Arsyeja për një gjë të tillë janë gabimet e mundshme dhe kontestimet nga partitë. Qëllimi i rinumërimit është heqja e dyshimeve të shumta.
Rinumërimi i këtyre votave ka filluar ditën e shtunë, në orët e para të mbrëmjes në Qendrën për Numërim dhe Rezultate.
Rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë ishte ajo çfarë subjektet politike të përfaqësuara në KQZ unanimisht e kërkonin që nga raportimi i rezultateve preliminare, pas pakënaqësive brendapartiake që kanë lindur për abuzim votash nga komisionerët e tyre. Kjo e ka dominuar kërkesën që të ketë rinumërim, edhe sa i takon votave që ndajnë partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Të shtunën KQZ-ja ka refuzuar përkohësisht një kërkesë të LDK-së për rinumërim të votave në nivel Kosove, por në këtë institucion në ndërkohë gjatë ditës u vendos që të fillojë rinumërimi i votave në gatë gjysmën e vendvotimeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›