E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK e shpall fitoren në Rahovec

Nga Express më 19 dhjetor 2010 në ora 20:51

(E plotësuar) Vetëm një orë pas mbylljes së vendvotimeve për zgjedhjet e balotazhit në Rahovec, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur fitoren e kandidatit të saj, Smajl Latifi.

Fitoren e Latifit e ka pranuar dhe ia ka uruar edhe kundërkandidati për kryetar komune, nga radhët e LDK-së, Ibrahim Kryeziu.

Pritet që në orët e mbrëmjes, edhe KQZ t’i shpallë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme.

Në Rahovec votuan 39.63%

Drejtues të KQZ-së kanë bërë të ditur se të gjitha vendvotimet në komunën e Rahovecit janë mbyllur me kohë në ora 19.00, ndërsa publikimi i rezultateve preliminare të balotazhit për kryetar komune pritet të bëhet ndërmjet orës 22.00-24.00.

Në konferencën e katërt për media të dielën mbrëma kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se dalja në garën e balotazhit për të parin e Rahovecit është 39.63 për qind.

“Të gjitha vendvotimet janë mbyllur në ora 19.00 dhe dalja e votuesve është 19 mijë e 525 votues, apo 39.63 për qind. Duke krahasuar këto të dhëna me ato të raundit të parë mund të konkludojmë se dalja në ditën e sotme është përafërsisht për një për qind më e vogël. Dëshiroj të theksoj se këto të dhëna janë preliminare, të cilat i kemi pranuar nga komisioni komunal i zgjedhjeve të komunës së Rahovecit. Gjithashtu dëshiroj të potencoj se për çdo parregullsi eventuale adresa duhet të jetë PZAP-i”, ka thënë Daka.

Ajo ka theksuar se në bazë të të dhënave nga KKZ-ja në Rahovec, procesi i sotëm zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente, ndërsa sipas saj, për të gjitha ankesat për parregullsi subjektet politike duhet t’i adresojnë në PZAP.

“Në qoftë se ndonjë subjekt politik ka ndonjë ankesë dhe konsideron se është shkelë ndonjë e drejtë, atëherë këtë të drejtë mund ta realizojë nëpërmjet ankesës së tij. Të cilën mund ta parashtrojë që nga ora 19.00 në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka thënë Daka.

Për sa i përket publikimit të rezultateve përfundimtare për balotazhin në Rahovec, kreu i KQZ-së ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet pas përfundimit të afatit për parashtrimin e ankesave eventuale nga ana e subjekteve politike.

Rezultatet preliminare priten të shpallen sonte në orët e vona të mbrëmjes.

Mbyllen dyert e qendrave të votimit në Rahovec

Në ora 19.00 janë mbyllur dyert e qendrave të votimeve në komunën e Rahovecit, ku gjatë ditës qytetarët kanë votuar për të parin e komunës, kanë bërë të ditur për Kosovapress zyrtarë të KKZ-së në Rahovec.

Kryetari i KKZ-së për Rahovec Burim Elezi ka thënë se të gjitha vendvotimet janë mbyllur me kohë dhe se i gjithë procesi zgjedhor ka rrjedhë pa probleme.

Sipas tij, pas orës 19.00 mund të votojnë vetëm ata qytetarë që kanë qenë duke pritur në radhë për të votuar para mbylljes së vendvotimeve.

KQZ: Deri në 15:30 kanë votuar 26.40%

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 15.30 në komunën e Rahovecit të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 13.009 votues, apo 26.40 për qind, ndërkohë që procesi zgjedhor po ecën pa probleme, të cilat do të dëmtonin imazhin e procesit zgjedhor.

Në konferencën e tretë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se numri i votuesve në komunën e Rahovecit është më i madh se sa në rrethin e parë më 21 nëntor, kur kishin votuar 24.49 për qind.

Duke u përgjigjur në interesimin e medieve në lidhje me parregullsitë e raportuara nga “Demokracia në Veprim” dhe mos hapjen me kohë të qendrave të votimit, kreu i KQZ-së ka mohuar një gjë të tillë.

“Sipas informacioneve nga terreni të KKZ-së, procesi zgjedhor është duke shkuar pa incidente, të cilat do të mund të dëmtonin procesin zgjedhor dhe se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë”, ka thënë Daka.

Edhe në këtë konferencë nuk është konfirmuar se kur do të publikohen rezultatet preliminare, pasi zyrtarët e KQZ-së kanë thënë se një gjë e tillë mund të bëhet ndërmjet orës 22.00 deri në 24.00.

KQZ: Deri në ora 11:30 kanë votuar 8.49%

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka tha se procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Rahovecit është duke shkuar mirë dhe se deri në ora 11.30 kanë votuar 4 mijë e 181 qytetarë apo 8.49 për qind e atyre që kanë të drejtë vote.

Gjatë konferencës së dytë për media drejtuesit e KQZ-së nuk kanë raportuar për ndonjë incident, i cili do të dëmtonte imazhin e këtij procesi.

“Deri në këtë moment të raportimit nuk është identifikuar asnjë incident, i cili do të dëmtonte imazhin e këtij procesi zgjedhor. Ndërsa sa i përket daljes së votuesve në zgjedhje është si në vijim, deri në orën 11.30 kanë dal 4 mijë e 181 votues apo 8.49 për qind, që krahasuar me raundin e parë i mbajtur më 21 nëntor në Rahovec, kemi rritje sepse në rundin e parë kanë dal 4 mijë e 54 votues apo gjithsejtë 8.23 për qind, e që tani është një rritje e vogël”, ka thënë Daka.

KQZ: Votim i qetë në Rahovec

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, tha se 71 vendvotime në 34 qendra të Komunës së Rahovecit janë hapur që në shtatë të mëngjesit, dhe sipas saj “çdo gjë është duke rrjedhur normalisht”.

Të drejtë vote në komunën e Rahovecit kanë 47 mijë e 400 votues, të cilët do të mund ta hedhin votën e tyre në 34 qendra votimi me 71 vendvotime.

Votojnë kandidatët për kryetar të Rahovecit

Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, ka votuar në fshatin Xërxë.

Ai ka përgëzuar gjithë qytetarët për këtë ditë dhe i ka ftuar të gjithë rahovecianët që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

"Përgëzoj qytetarët e Komunës së Rahovecit njëkohësisht i ftoj të dalin masovikisht në zgjedhjet të shfrytëzojnë të drejtën qytetare, sepse edhe perëndia e ka bekuar sot këtë ditë me mot të mirë pas asaj furtune që kishim dhe i ftoj qytetarët për votuar për ardhmërinë e vet", ka thënë Kryeziu.

Ndërsa, kandidati i për kryetar të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka votuar në fshatin e tij në Ratkoc të Rahovecit.

Pasi që ka votuar ai ka deklaruar shumë shkurt që pret ditë më të mira.

"Është ditë e mirë, presim ditë më të mira", ka thënë Latifi.

Rahoveci voton në balotazh

Në Rahovec sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Në garën për të parin e qytetit kanë mbetur kandidati i LDK-së Ibrahim Kryeziu dhe ai i AAK-së Smajl Latifi.

Në Rahovec janë përsëritur zgjedhjet pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se kryetari i dalë nga zgjedhjet e vitit 2009, Qazim Qeska(PDK) kishte shkelur Kushtetutën duke u kthyer në punë 47 ditë pasi që kishte ofruar dorëheqje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›