“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, do të jenë më të mirat”
Intervista/Zëevendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck
“Jam më se i bindur sepse kodi elektoral është bërë sipas rekomandimeve dhe standardeve të BE-së. Nga zgjedhjet në zgjedhje standardet i afrohen normales, rriten dhe përmirësohen”
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, organizatës që monitoron zgjedhjet, Wolfgang Grossruck, shprehet se në 2013-ën Shqipëria do të arrijë standardet e saj më të larta. Grossruck e lidh optimizmin e tij për zgjedhje të rregullta dhe ndershme me cilësinë e lartë të kodit elektoral.
“Jam më se i bindur sepse kodi elektoral është bërë sipas rekomandimeve dhe standardeve të BE-së. Nga zgjedhjet në zgjedhje standardet i afrohen normales, rriten dhe përmirësohen”, u shpreh ai.
Zyrtari i lartë i OSBE-së theksoi se në krahasim me katër vjet më parë, është shënuar progres i rëndësishëm drejt përsosjes së infrastrukturës zgjedhore.
Sipas tij, rekomandimet e OSBE/ODIHR janë përmbushur me përpikëri.
“Në zgjedhjet e kaluara parlamentare ne bëmë një raport objektiv me rekomandime dhe listë gjërash për t’u ndryshuar. Jam i sigurt që janë përmbushur dhe zgjedhjet e ardhshme do të kenë nivel të lartë dhe të shkëlqyer”, tha Grossruck.
Një ogur të mirë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 2013-s, zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck sheh dhe zgjedhjen e një gruaje në krye të KQZ-së. Optimizmi për zgjedhje të lira dhe të ndershme dominoi edhe punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, që mbajti sesionin e vjeshtës në Tiranë. Kësisoj, presidenti i AP të OSBE-së, Ricardo Migliori, duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, theksoi se OSBE-ja do t’i ndjekë nga afër ato dhe se duhet të jenë një ditë feste për shqiptarët. “Vitin që vjen do të mbahen zgjedhje të rëndësishme parlamentare dhe ne do të bëjmë çfarë është e mundur që të jemi të shumtë për të kontribuar derisa këto zgjedhje të shënojnë përfundimisht një marrëdhënie pozitive midis forcave të ndryshme politike shqiptare për stabilitetin e këtij vendi dhe për integrimin e tij përfundimtar. Kjo është një detyrë, të dashur miq shqiptarë, e të gjithë Asamblesë sonë Parlamentare. Do të jemi në krahun tuaj për të garantuar përpara popullit shqiptar një festë të madhe vitin që vjen pas zgjedhjeve”, tha ai.
Për kryeministrin e vendit, Sali Berisha qeveria do të bëjë gjithçka për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Jam shumë i vendosur të punoj për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm”, tha kryeministri, ndërsa theksoi se, sheh një bashkëpunim të ardhshëm të suksesshëm të OSBE-së me Shqipërinë. “Unë jam dëshmitar i një kontributi madhor në mekanizmat më themelore të demokracisë, siç janë ato të zgjedhjeve të përgjithshme e lokale, në liritë e të drejtat e njeriut. Por ekspertiza e kësaj Organizata ka mbuluar shumë fusha të tjera. Ishte një rast për të falënderuar ambasadorin Wollfarth, ekipin e tij, për angazhimin e madh, në përputhje me mandatin që parlamenti shqiptar i ka dhënë dhe shoh me kënaqësi një bashkëpunim të ardhshëm, të suksesshëm, me Organizatën e Praninë e saj këtu”, tha kryeministri gjatë punimeve të asamblesë parlamentare të OSBE-së, që mbylli punimet në Tiranë të shtunën e kaluar.