Komenti/ Rama, pazar me pakicë parlamentare
Edhe pak ditë ndajnë zbardhjen e raport-progresin e komisionit për Zgjerim të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Konkluzionet e progres-raportit të BE për Shqipërinë këtë 10 tetor janë veçanërisht të rëndësishme duke parë që për dy vite radhazi marrja e Statusit të vendit Kandidat për në BE është refuzuar për shkak të agjendës konfliktuale të opozitës, e cila e futi vendin në një ngërç politik, çka bënte të pamundur plotësimin minimal të 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Mirëpo marrëveshja politike e nëntorit të kaluar mes mazhorancës dhe opozitës bëri të mundur nisjen e një stine të qetë politike dhe hapjen e dritës jeshile për të plotësuar 12 rekomandimet e BE. “Masa kritike” e rekomandimeve është arritur me 120 pika të plotësuara në formularin e paraqitur në adresë të Shqipërisë. Bashkëpunimi parlamentar edhe pse ritme jo të larta prodhoi disa rezultate konkrete: miratimi i reformës zgjedhore; zgjedhja e avokatit të popullit; miratimi i disa ligjeve që kërkonin 3/5 e votave në kuvend; si dhe miratimi i ligjit për kufizimin e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë.
Megjithatë disa pika të marrëveshjes së nëntorit janë parë nga opozita parlamentare edhe për të fituar pozicione politike, çka ka sjellë vonesa të panevojshme. Një shembull, kufizimi i imunitetit erdhi pas një debati 2 mujor të panevojshëm me kushte, me propozime për referendum, me lëshime, etj. Ndërsa reforma parlamentare mbetet në sirtar për shkak se PS-ja ka kërkuar 2 amendamente të reja (barazimi i kohës së kryeministrit me kreun e grupit parlamentar të opozitës dhe votimin e fshehtë për dekretet e presidentit për gjyqtarët) që padyshim kërkojnë ndryshimin e disa neneve të Kushtetutës, jo të parashikuara në marrëveshjen e mëparshme për ngritjen e grupit të punës për rregulloren e parlamentit.
Gjithashtu miratimi i ligjit “për Gjykatën e Lartë” që është një prej 12 pikave të rekomandimit të komisionit për Zgjerim dhe është kthyer në një betejë politike në çastet e fundit nga ana e opozitës. Arsyeja ashtu si motivet duket të jenë të dobëta. Kreu i opozitës ka deklaruar kushtëzimin e radhës për reformat që kërkojnë edhe votat e Partisë Socialiste, duke nxjerrë një betejë ligjore lokale në qarkun e Fierit në një betejë kombëtare që rrezikon bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Në qarkun e Fierit mes PD dhe mes PS ekziston një kontradiktë për kreun e këshillit të Qarkut dhe për këtë arsye palët janë në gjyq. Sigurisht në një kontekst apo në ndonjë vend tjetër mund të dukeshin qesharake kërkesa e PS-se, e cila sikur të ishte në pazar, në këmbim të qarkut të Fierit të japë votën për ligjin Gjykatën e Lartë, që do ta afronte Tiranën më afër me Brukselin. Mirëpo aq qesharake nuk është përderisa bllokimi në komisionin e Ligjeve dhe kuvend është serioz dhe i paprecedentë për nga “pazari”. Papërgjegjshmëria ka marrë fytyrë njerëzore.
Ndërkaq jo shumë kohë më parë përgjatë betejës psikologjike për të votuar heqjen e imunitetit, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në BE Stefano Sannino u bëri apel palëve politike shqiptare që, “të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit”.
Kuptohet vetiu miratimi i ligjit “për Gjykatën e Lartë” që i hap rrugë ngritjes së gjykatave Administrative është një hap përpara luftës ndaj korrupsionit dhe nxitjes së transparencës publike. Por votimi i këtij ligji është kthyer në një pazar politik, ku kërkohet vënia në presion e drejtësisë nëpërmjet bishtnimit të proceseve ligjore në qarkun e Fierit sepse vetëm kështu opozita do të votojë për reformat integruese. Edi Rama jo vetëm që po e kthen në pazar ligjit për Gjykatën e Lartë, por në thelb i gjithë procesi i integrimit të vendit është kthyer në një betejë politike, pa marrë parasysh pasojat e rënda.