Zgjedhjet për kreun e PD, Berisha voton: Nuk ka vendim gjykate që ndal këtë mision historik për demokratët

Sali Berisha, i cili garon për kreun e PD, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka votuar për kreun e ri të partisë. Pasi hodhi votën, Berisha tha se këtë proces fisnik që finalizon shpresën e demokratëve nuk ka asnjë vendim gjykate që mund ta ndalë, duke iu referuar vendimit të gjykatës së Apelit që ende nuk ka vendosur se kujt grupi i takon PD, Komisionit të Rithemelimit apo pjesës tjetër të demokratëve.
“Ky është një proces historik, jo vetëm për PD, por për mbarë Shqipërinë sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre. Pra sot në këtë proces mbarë shqiptar shohim dritën e shpresës për të ardhmen. Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik të demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për procesin e zgjedhjen e presidentit të ri, ku e cilësoi atë mafioz dhe antikushtetues.
“Është një proces që zhvillohet paralel nga një proces i mirëfilltë mafioz antikushtetues ai i zgjedhjes së presidentit të republikës. Është mafioz dhe antikushtetues sepse bazohet mbi grabitjen dhe dhunimin masiv të vullnetit të lirë dhe votës së lirë të shqiptarëve dhe kolaboracionizmit e shpifur të Edi Ramës me pseudo opozitë”, tha Berisha.
Sali Berisha garon përballë Ibsen Elezit për kreun e Partisë Demokratike, ku demokratët në të gjithë vendin po votojnë për drejtuesin e ri të partisë së tyre.
/rtsh.al/