Zgjedhjet për kryebashkiak në Tepelenë, Meçe: Procesi i votimit mbyllet pa incidente, pjesëmarrje relativisht e ulët

Votimi për kryetar bashkie në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht në orën 18:00, duke shënuar fundin e një dite të qetë zgjedhore. Kryetari i Komisionit të Zonës Administrative Zgjedhore (KZAZ) 80, zoti Xhaferr Meçe, konfirmoi për RTSH 24 se procesi ka qenë tërësisht normal dhe nuk është regjistruar asnjë incident.
Fokusi kryesor i deklaratës së z. Meçe ishte shkalla e pjesëmarrjes, e cila rezulton të jetë relativisht e ulët.
“Përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje mund të thuhet se ka qenë relativisht e ulët, në nivelin rreth 33% të zgjedhësve të regjistruar në lista,” bëri të ditur Meçe.
Ai shtoi se kjo përqindje e ulët shpjegohet kryesisht me kushtet atmosferike. “Edhe moti i keq i cili gjatë gjithë pasdites të së dielës është shoqëruar me reshje shiu, ka ndikuar,” tha ai.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, kutitë me fletët e votimit dhe dokumentacioni shoqërues do të transferohen në ambientet e KZAZ-së për marrjen në dorëzim, para se të fillojë procesi i numërimit.
“Të gjitha kutitë e votimit do të vijnë në KZAZ ku do të merren në dorëzim kutitë e votimit dhe dokumentacioni shoqërues. Pasi të kryhet ky proces, më pas do të fillojë numërimi i votave,” përfundoi Meçe, duke sinjalizuar fazën tjetër të rëndësishme që do të përcaktojë fituesin e garës për kreun e Bashkisë Tepelenë.
/rtsh.al/