E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, përsëri deledash

1. “Raporti, me një kthjell- tësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompeti-tive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm”...
2. "Raporti i ODIHR-it s'ka qenë asnjëherë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Gjithshka që publiku ka parë vetë, me sytë e tij, në zgjedhjet dramatike të Tiranës dhe që ne kemi pretenduar pas numërimit që na nxori fitues, gjen konfirmim të plotë në qëndrimin e arbitrit ndërkombëtar… Minimalisht me këtë KQZ dhe këtë Kolegj Zgjedhor s'mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri"…
Citimi i parë i takon Berishës, i dyti i përket Ramës. Pas tyre dolën, për të përforcuar të njëjtën ogur edhe "kapterët" përkatës partiakë… Të dy palët, pra, janë më se të kënaqur e të lumturuar nga raporti i OSBE-ODHIR, pavarësisht se janë të vendosur, si zakonisht, në llogore të kundërta. Nuk është hera e parë që ndërkombëtarët lexohen, deshifrohen e keqpërdoren kësisoj. Sa ikën nga Shqipëria Barroso, Kantrimen, Fyle a kushdo qoftë mysafir i rëndësishëm, deklarimet e krerëve, zëdhënësve e zëmarrësve të tyre, do të sillen e përcillen në favor të secilës palë, dmth të vetes. Nuk ka rëndësi për kë patën rënë këmbanat, pasi ato përherë do të bien vetëm për "vdekjen" e tjetrit, "armikut"… Nuk ka gjithashtu rëndësi kush e mbjell e kush e sjell ekuivokun, as kush do ta paguajë e vuajë nesër ngërçin e tejzgjatur në qorrsokak, mungesën kronike të zgjedhjeve të lira e të ndershme, praninë rrokopujëse të mosmarrëveshjes kronike, sepse për prijësit vlerë ka vetëm shfaqja hipokrite e radhës për t'ia hedhur fajin kundërshtarit! Edhe intervista e ambasadores gjermane në Tiranë u nda më dysh, si trofe, si një plaçkë lufte, një palë përvetësoi frazën "zgjedhjet ishin më të mira se të kaluarat", tjetra atë që thoshte se "zgjedhjet nuk ishin as të kuqe, as blu, po gri".
E pra të dy palët, duke u vetëparaqitur si më të favorizuar nga ndërkombëtarët, duke e bërë të zezën të bardhë, e shtynë sërish elektoratin të besojë se kjo është mënyra më e mirë dhe më e mençur e të bërit politikë. I zoti quhet vetëm ai që "kopilin" ia lë armikut në derë! E kështu, medemek, besohet se do të mund të kapërcehet me sukses lumi i zullumit, se mëkatet e fajet do të jenë të tjetrit, ndërsa lavdia e pushteti i yti ende besohet, njëlloj si në diktaturë, se qytetarët shqiptarë kanë për ta ngrënë, si ka ndodhur jetë e mot, sapunin për djathë, gënjeshtrën për të vërtetë e mashtrimin për drejtësi. Prandaj gjysma mëkohet e ndërsehet me propagandë kundër gjysmës tjetër, e për këtë tradicionalisht shfrytëzohen jo vetëm mjetet mediatike, por edhe ndërkombëtarët, ca duke i gënjyer, ca duke i shpërblyer, dje si marksist-leninistë, sot si Tom Ridxhistë! Deklarimet e të huajve nga Evropa e sidomos nga Amerika vazhdojnë të jenë ushqimi më i pëlqyer e më i shijshëm për provincializmin ballkanik!
Kjo mënyrë me të hedhur e të bërit politikë na lë në vend numëro pasi, pavarësisht nga këshillat e nga ultimatumet e herëpashershme të ndërkombëtarëve, ne jo vetëm që mbetemi aty ku kemi pas qenë, pa kryer asnjë nga të dymbëdhjetë pikat e BE-së, pra pa u evropianizuar e pa standarde, por gjendemi prej mbi njëzet vjet të ngujuar në kthetrat e të njëjtëve udhëheqës të shquar, të pagabueshëm e, natyrisht, edhe të pazëvendësueshëm… Të pazëvendësueshëm, pasi me votë përherë Dumbabët do të fitojnë (së pari brenda partive e më pas edhe nëpër Shqipëri; nuk ka rëndësi se si!) e, më kryesorja, përherë del sikur edhe për manipulime, edhe për mashtrimet, edhe për zullumet, ata gëzojnë edhe përkrahjen e pakursyer të ndërkombëtarëve, në rastin e tanishëm edhe të Raportit të OSBE-ODHIR-it. Andaj trajtimi edhe i këtij Raporti, ashtu si edhe ai që do të vijë në tetor nga Brukseli, bëhet pjesë e manipulimit të propagandës, operacioni doli me sukses, por pacienti vdiq!
* * *
Tashmë u bë e udhës që kryepartiakët tanë të mos ngurrojnë të ngazëllehen me raportet, duke kumtuar secili atë që i pëlqen…As nuk skuqen e as nuk zverdhen kur mëtojnë me "fakte" se asnjëherë nuk kanë dështuar personalisht nëpër zgjedhjet lokale, politike e partiake, madje ata asnjëherë nuk gabojnë, asnjëherë nuk lajthitin, asnjëherë nuk kanë faj, derisa këtë e pohojnë "me gojën e tyre" edhe Raportet e deklarimet e ndërkombëtarëve! Shikoni sa të qeshur, të lumtur e njëkohësisht edhe sa cinikë shfaqen kur paraqiten nëpër ekrane para nesh, edhe pse e dinë që po na gënjejnë ditën për diell! Ne qenkemi pra rrotë më rrotë me Gjermaninë për zhvillim e përparim! Sa herë del Berisha në mbledhje qeverie, nuk le rast pa na qesëndisur, pa hedhur shifra suksesesh, pastaj shpotira e thumba… I lumtur edhe kur ka vrarë, i sigurt edhe kur minatorët janë në grevë urie, i pagabueshëm edhe kur raportet dalin "gri"; i papërballueshëm, i pakrahasueshëm, vizionar i paparë e i karfosur si ai e askush tjetër, një këmbëngulës i palodhur që nuk le gur e gisht orientues pa lëvizur duke ngulmuar, jo pa sukses, të na rrasë në tru bindjen "As mos guxoni të dyshoni se në këtë vend Ligji jam unë dhe vetëm unë" !
Ndonëse ky mashtrim i tej përsëritur që i konsideron qytetarët si leshko e trushkulur është bërë bajat, shumëkujt i krijohet përshtypja sikur nuk e kanë fajin vëzhguesit ndërkombëtarë, as krerët tanë, derisa ne, sa herë votojmë, pranojmë të gënjehemi kaq kollaj…Se, nëse mashtrimi vazhdon me të njëjtin ritëm për njëzet vjet, atëhere automatikisht del që fajin e kemi vetëm ne, qytetarët e thjeshtë "pa kulturë e pa tradita demokratike", ndaj do të jemi ne ata që do të paguajmë koston e shansit të humbur, jo një, por për të disatën herë! Mos ndoshta edhe për këtë arsye ndërkombëtarët mendojnë se për kokën tonë vetëm kjo "feste" shkon, prandaj konkluzionet i japin me ngjyra gri, dmth evazive, as të bardha e as të zeza? Apo mos besojnë se Berisha është aq i instaluar, aq i çimentuar me mercenarë, me grupe interesi (vetjak), me struktura legale e të nëndheshme, nëpër institucione të varura e të pavarura, sa largimi i tij me votë e standarde hë për hë ngjan i pamundur, një proces i rrezikshëm, ngaqë dyshohet se mund të sjellë pasoja edhe më të vështira se ato të viteve '97-98, pasi tashmë ai është më i motivuar politikisht, institucionalisht, materialisht, korruptivisht, dhe, pse jo, edhe kriminalisht?
Por nuk ka fyerje më të madhe e më të rëndë se kjo që i bëhet shoqërisë shqiptare! Nuk janë gjë shifrat e sukseseve të INSTAT-it, të vendit të parë në botë për zhvillim ekonomik, të shpalljes së Shqipërisë "Miss bota" në turizëm, të një Shqipërie që nuk njeh kriza e të lumtur, si kungulli majë gardhit, që gati sa nuk pëlcet prej vetëkënaqësisë apo prej rekordeve të papara të kryeministrit në not e te Muri kinez, etj, etj, para gënjeshtrës dhe mashtrimit, hedhjes hi syve edhe në dritë të diellit që na bëhet përherë pas zbërthimit të kësillojtë të Raporteve dhe të deklarimeve të ndërkombëtarëve që venë e vijnë në Tiranë… Kushedi sa i lumtur duhet të jetë ndjerë shefi i misionit të OSBE-së në Tiranë Wolfard kur dëgjoi se edhe Berisha, edhe Rama, janë njëlloj të ngazëllyer nga "cilësia" e raportit! Është e qartë pra që qëndrimi me ekuivok i ndërkombëtarëve e ka një prapavijë, gjë që do të thotë se edhe ata, me apo pa qëllim, janë pjesë e kësaj loje me kukamçefthi! Sepse nuk mund të besohet që diplomatët e Tiranës të jenë aq syleshë sa të mos e kuptojnë këtë rreng e të mos reagojnë ndaj kësaj dukurie kaq të përsëritur, kaq çoroditëse, kaq faqezezë e kaq dëmsjellëse të krerëve tanë që bëjnë sikur i keqkuptojnë me naivitet "raportet' e tyre! Përse, dreqi e mori, na lënë të mbytemi e të zhgërryhemi në këtë batak të mashtrimit e të gënjeshtrës mediatike, kur mund të flasin më troç e madje edhe të përgënjeshtrojnë?! Apo mos u pëlqen edhe atyre tymnaja, teksa mbeten në qendër të vëmendjes e gjersa lëvdohen nga të dy palët e këtushme?! Ky mund të jetë një "argument kokëfortë" për kancelaritë e tyre se këta nëpunës, medemek, kanë punuar mjaft mirë me udhëheqësit kokëgdhe e të pandreqshëm të Ballkanit?
Për fatin tonë të keq heshtja, edhe kur raportet e tyre shihen si një mësallë me dy faqe, të krijon përshtypjen se edhe atyre u pëlqen ky lloj ekuivoku, ky qëndrim as mish e as peshk, me një fjalë kjo qasje prej deledashi! Është meskinitet, mediokritet të kënaqesh me faktin absurd e të pajtohesh me këtë përfundim, "Raporti ishte i shkëlqyer, meqë të dy palët nuk patën asnjë kundërshti, madje edhe hajduti, edhe i vjedhuri, edhe mashtruesi, edhe i mashtruari del se janë më se të kënaqur". Të pranosh këtë tërheqje "të baraslarguar" të litarit, do të thotë që raporti të mos sjellë as nesër e as pasnesër ndonjë përmirësim, dobi, fitues e humbës të njëmendtët, po vetëm një ngërç "të institucionalizuar" e të pafund!
* * *
Po të vëzhgosh rezultatin thuajse të barabartë të zgjedhjeve, gjysma e votuesve del që janë të prirur të besojnë se zgjedhjet e 8 majit ishin "transparente dhe kompetitive", ndërsa gjysma tjetër që ishin "më të këqiat të bëra ndonjëherë" Jo vetëm politikisht, por edhe matematikisht kjo do të thotë që të dy gjysmat elektorale, njëra me plus e tjetra me minus, njëra pozitive e tjera negative, duke u përplasur me njëra-tjetrën, si përplasen rëndom për shkak të konfliktualitetit të stimuluar qëllimisht, janë të destinuara të eliminojnë jo njëra-tjetrën, si në fizikë, por shansin e përmirësimit të shoqërisë dhe kësisoj ne të mbetemi, pavarësisht nga ç'thotë e ç'kërkon raporti, aty ke kemi qenë jetë e mot. Ja përse nga ky qëndrim deledash i ndërkombëtarëve dhe i raporteve "as mish, as peshk", burojnë të gjitha sëmundjet dhe defektet morale e ligjore të shoqërisë tonë të sfilitur e të mashtruar, e cila, edhe për këtë shkak, pra edhe për faj të këtyre "raporteve" nuk po gjen dot rrugën e shpëtimit nga kjo klasë politike e papërgjegjshme, servile me raportet e ndërkombëtarëve e po aq arrogante në raport me opinionin e këtushëm publik…
Ne nuk po hyjmë dot në rrugën e demokracisë e të shtetit të së Drejtës edhe pse raportet nuk e thonë qartë e prerë nëse zgjedhjet kanë qenë vërtet kompetitive e transparente, apo nëse votat janë vjedhur e hajdutët e kriminelët e pushtetit e të partive nuk kanë ikur në drejtim të paditur, pavarësisht nëse manipulatorët vazhdojnë të mbajnë mercenarët partiakë të gozhduar te parulla e trashëguar: "nga fitorja në fitore", ndërsa shumicën e qytetarëve te destini: nga humbellat vijmë, drejt humbjeve të reja shkojmë… Prandaj sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për një peshore të tillë, të ndershme, të drejtë e të paanshme të ndërkombëtarëve, tek të cilët akoma nuk është terrur e bjerrur besimi! Është provuar tashmë se një "peshore" e tillë tek ne nuk funksionon dot as nga vullneti i "garantit të unitetit", Presidentit të Republikës, as me shenjtërinë e shpallur të Kushtetutës, as nga nderi i humbur i Kodit Zgjedhor, as me pafytyrësinë e anëtarëve të KQZ dhe Kolegjit, as me protestat e klithmat e dëshpëruara të shoqërisë civile, as me greva urie e madje as nga opozita! Prandaj ndërkombëtarët nuk kanë përse të vazhdojnë të flasin diplomatikisht, me metafora, me gjuhën e ngjyrave, qoftë edhe të pikturave të Pikasos!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›