Papa pedagogëve të rinj: “Universiteti të mos kufizohet tek kërkesat e tregut, por të frymëzohet nga e vërteta”
Pas takimit me rregulltaret e reja, Papa hyri në Bazilikën e Shën Lorencit, ku të bien menjëherë në sy qemeret, afreskuar nga Kambiazo e Xhordano dhe Kryqi i madh prej mermeri të bardhë, vepër e Benvenuto Çelinit. E shoqëronin Eprori i Agostinianëve të Manastirit të Eskorialit dhe 4 pedagogë të rinj universitarë; e prisnin, në një atmosferë vërtet të hareshme, njëmijë të tjerë, me mantelet e kapelet ngjyra-ngjyra, sipas fakulteteve ku japin mësim, duke krijuar, kështu, në këtë mjedis mahnitës, një mozaik të gjallë ngjyrash. Benedikti XVI theksoi edhe para profesorëve, se gjithçka e mirë buron nga rrënjosja në Krishtin. Kujtoi, më pas, vitet e tij të para të punës si profesor, plagët e Luftës II Botërore, ende tejet të dukshme dhe entuziazmin, me të cilin u mjekuan e u shëruan këto plagë të rënda. I ftoi, në vijim, pedagogët, të mos formojnë vetëm njerëz, që u përgjigjen kërkesave të tregut: E dimë se kur dobia e pragmatizmi i menjëhershëm shikohen si kriter parësor, humbjet mund të jenë dramatike; duke nisur nga shpërdorimet e një shkence, që nuk njeh kufij, që e kapërcen vetveten, për të arritur deri në totalitarizëm politik. Ky totalitarizëm ringjallet lehtë, kur zhduket çdo lloj referimi, që ka epërsi mbi llogaritjet e thjeshta të pushtetit”. E - vijoi Papa, prandaj ju inkurajoj të mos e humbisni kurrë ndjeshmërinë dhe etjen për të vërtetën; të mos harroni se mësimdhënia nuk është vetëm komunikimi i dijeve, por kryesisht, formimi i të rinjve, të cilëve, mbi të gjitha, duhet t’u mësoni etjen për të vërtetën, duke u bërë për ta, stimuj force”.
Në një shoqëri të çrregullt e të paqëndrueshme, si e sotmja, të rinjtë kanë më shumë nevojë se kurrë për mësues, që bëhen mjeshtra të jetës, që u kujtojnë se rruga drejt së vërtetës është rrugë e mendjes dhe e zemrës, e inteligjencës dhe e dashurisë, por pa harruar edhe përvujtërinë, pa harruar se e vërteta nuk mund të pushtohet kurrë plotësisht.
Para se të fillonte fjalimin, Papën e përshëndetën kardinali Ruoko Varela dhe profesor Alejandro Rodriguez de la Peňa. E pas lutjes përfundimtare, Benedikti XVI dorëzoi, për bazilikën e Eskorialit, një portret të Shën Lorencit, realizuar me teknikën e mozaikut.
Akrepat e orës e kishin kaluar prej kohe 12-tën, kur Papa u largua nga bazilika, i përcjellë përsëri plot hare nga turma universitare, që tundte, si ylber, kapelat ngjyra-ngjyra. Ishte koha e drekës, të cilën Benedikti XVI e kaloi në Nunciaturën Apostolike. Në sofrën e Papës, përveç kardinalit Varela, u ulën edhe 12 mysafirë të rinj, me kombësi të ndryshme: një vajzë e një djalë për secilin kontinent, e, natyrisht, edhe një vajzë e një djalë me kombësi spanjolle që, në një farë mënyre, luanin rolin e të zotit të shtëpisë. Pas Papës, natyrisht. Takim miqësor, që zgjati më se një orë. Benedikti XVI kishte, në të dy krahët, përfaqësuesit e mbarë rinisë botërore
Pas një pushimi të shkurtër, për Benediktin XVI nisi veprimtaria e pasdites. Takimi i parë ishte ai me kryeministrin Hosè Rodriguez Zapatero, që filloi rreth orës 17.30. Në hyrje të Nunciaturës Apostolike Kryeministrin e pritën kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij dhe imzot Renco Fratini, nunc apostolik në Spanjë, të cilët e shoqëruan në një sallon, ku biseduan disa çaste, në pritje të arritjes së Papës në sallonin e ambasadorëve, aty pranë. Këtu u mbajt bisedimi privat ndërmjet Atit të Shenjtë e kryeministrit të Spanjës. Më pas, sipas protokollit, u shkëmbyen dhuratat, u paraqitën familjarët dhe bashkëpunëtorët e u bënë fotografitë zyrtare të rastit.Dita po shkonte drejt përfundimit, por jo për Papën. Për Atin e Shenjtë po shkonte drejt kulmit të saj, drejt njërës nga veprimtaritë më domethënëse të Ditëve Botërore të Rinisë: “Udhës së Kryqit”.
Takimi me rregulltaret e reja. Papa: forca e fesë suaj, fiton mbi mediokritetin e botës/Dita II e Shtegtimit Apostolik të Benediktit XVI në Madrid, filloi, si zakonisht, me Meshën e Shenjtë, kremtuar privatisht në Nunciaturën Apostolike të Madridit. Më pas u nis drejt Pallatit Zarzuela, seli e mbretërve të Spanjës, ku i bëri një vizitë mirësjelljeje anëtarëve të Familjes Mbretërore, që kishin dalë për ta pritur në hyrje të pallatit. Takimi, mbajtur në Sallonin e Selisë, filloi me paraqitjen e familjarëve. Vijoi, pastaj, me bisedën private të Mbretit me Papën, në Studion e Madhërisë së Tij, me paraqitjen e grupit të kardinajve e të ipeshkvijve, që shoqëronin Atin e Shenjtë, me shkëmbimin e dhuratave dhe me fotografinë tradicionale, në kopshtin e Pallatit.
Në përfundim të vizitës, anëtarët e familjes mbretërore e shoqëruan Papën deri tek porta kryesore e Pallatit Zarzuela. Në vijim Benedikti XVI shkoi në Manastirin e Shën Lorencit në Escorial, për t’u takuar me mijëra rregulltare të reja. Gjatë takimit, Papa vuri theksin mbi moton e vetë Ditës XXVI Botërore të Rinisë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”. U ndalua edhe tek rrugët e ndryshme të jetës apostolike, përmes të cilave realizohet kjo rrënjosje, duke kujtuar edhe vendin e jashtëzakonshëm, Manastirin, ku mbahej takimi, vend që ruan shumë kujtime e shumë vlera, ndërmjet të cilave, Biblioteka: “Nëse Biblioteka e tij e mirënjohur ruan botime të rëndësishme të Shkrimit Shenjt e të rregullave monastike të familjeve të ndryshme rregulltare, edhe jeta e murgeshave ruan Fjalën e Zotit, që kumbon sipas formave të përshpirtërisë së Urdhërave të ndryshme”.
E Papa nënvizoi se çdo karizmë, është një fjalë ungjillore, që Shpirti Shenjt ia kujton Kishës së Tij: “Jeta rregulltare lind nga dëgjimi i Fjalës së Zotit... Prej saj buron çdo karizmë; e çdo rregull përpiqet të jetë shprehje e saj, duke krijuar rrugë të reja të jetës së krishterë, kushtuar plotësisht Ungjillit. T’i kushtohesh plotësisht Ungjillit, do të thotë t’i kushtohesh plotësisht vetë Krishtit, të kesh fe të patundur. Të jesh i rrënjosur e i bazuar në Krishtin, në jetën rregulltare, do të thotë të shkosh deri në rrënjën e dashurisë për Jezu Krishtin, ta duash me gjithë zemër, pa i mohuar asgjë kësaj dashurie”. Duke kujtuar Rregullën e Shën Benediktit, Papa i ftoi rregulltaret e reja t’i përkasin plotësisht Krishtit, ta jetojnë jetën e tyre rregulltare: “.. si e jetuan shenjtorët; sipas stilit të Shën Rozës së Limës e të Rafael Arnaiz, të rinj e pajtorë të kësaj Dite Botërore të Rinisë”.
Më pas Papa kujtoi se radikaliteti ungjillor shprehet në misionin, që Zoti i beson secilës rregulltare, duke nisur nga jeta kundruese, jeta e kiostrit, ku Fjala e Zotit jehon në heshtjen shprehëse e adhurohet në bukurinë e vetmisë, ku banon Ai vetë, e duke vijuar tek hedhja e farës ungjillore përmes edukimit të fëmijëve e të të rinjve, përmes kujdesit për të sëmurët e pleqtë, shoqërimit të familjeve në impenjimin e tyre për mbrojtjen e jetës, dëshmimit të së vërtetës, kumtimit të paqes e të dashurisë së krishterë, impenjimit misionar, ungjillëzimit të ri e fushave të tjera të apostullimit kishtar: “Kisha ka nevojë për besnikërinë tuaj rinore, të rrënjosur e të bazuar në Krishtin. Ju falenderon, që ia kushtoni plotësisht e përherë gjithë jetën thirrjes së të Dashurit”. Kështu u shpreh Benedikti XVI dhe në përfundim të takimit theksoi se ka besim të plotë në kontributin e rregulltarëve e të rregulltareve për ungjillëzimin e ri. Ata nuk do ta lënë vetëm Papën, por do ta ndihmojnë ta mbartë Kryqin e Krishtit: “E gjithë kjo merr një rëndësi të veçantë, përballë relativizmit dhe mediokritetit të kohës sonë, që shpesh bëhet “eklips i Zotit”, ose “harresë”, për të mos thënë, refuzim i mirëfilltë i krishterimit e mohim i thesarit të fesë së marrë përmes Pagëzimit. Lind, kështu, nevoja për qëndrimin ungjillor radikal, i cili i dëshmon botës se shugurim do të thotë t’i përkasësh plotësisht Zotit, që vihet e duhet mbi gjithçka”.
Ipeshkvi i Rrëshenit imzot Palmieri: të rinjtë shqiptarë, thesar i çmuar për Kishën e Vendin/Papa Benedikti XVI që dje gjendet në Madrid, ku shkoi për të takuar të rinjtë e mbarë botës me rastin e Ditës së 26-të të tyre botërore. Ati i Shenjtë Ratcinger u prit nga mase 500 mijë të rinj me një entuziazëm e gëzim të papërshkueshëm. E Papa që në fjalimin dhe takimet e para në Madrid, falënderoi Spanjën e të rinjtë dhe nënvizoi rëndësinë e DBR-së si rast të veçantë për të takuar Krishtin dhe për t’u rrënjosur në Fjalën e Tij jetëdhënëse. “Jam këtu për t’u takuar me mijëra të rinj nga e gjithë bota, katolikë, me interes për Krishtin, ose në kërkim të së vërtetës, që i jep kuptim jetës. Për t’i përforcuar të gjithë në fe, për t’i nxitur të rinjtë të takohen personalisht me Krishtin Mik e kështu, jenë dëshmitarë besnikë e të guximshëm”, posaçërisht në realitetin bashkëkohor, ku, siç u tha sot motrave të reja rregulltare në El Escorial, konstatojmë një lloj ‘eklipsi të Zotit’, një lloj amnezie, madje një refuzim të vërtetë të Krishterimit e një mohim të thesarit të fesë së pranuar, me rrezikun e humbjes së identitetit personal”.
Papa Ratcinger foli mbi marrëdhënien personale të njeriut me Krishtin, mbi domethënien e rolin e fesë në shoqërinë e sotme, por edhe mbi temën e ekonomisë e të etikës, të papunësisë e të çorientimit të të rinjve. Prandaj, Benedikti XVI propozon Krishtin, Udhën, të Vërtetën e Jetës dhe i fton të rinjtë të rrënjosën gjithnjë më shumë mbi këtë shkëmb të qëndrueshëm e të ushqehen nga kjo gurrë e pashtershme.
Ndër qindra mijëra të rinjtë nga mbarë bota të pranishëm në Ditën e 26-të Botërore të Rinisë, janë edhe 400 të rinj nga Shqipëria, të shoqëruar nga meshtarët, rregulltarët e tre ipeshkvij.
Marrë nga Radio Vatikani