E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së

30/06/2010 Publikohet raporti i “Freedom House” për Shqipërinë 2009-2010

Korrupsioni në administratë dhe në gjyqësor vazhdon të mbetet i lartë

Një raport i organizatës “Freedom House” me qendër në Uashington, i cili analizon përparimin e vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral, jep një tablo të përzier për Shqipërinë. “Freedom House” e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7: sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi. Në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3,75 pikë, ashtu si edhe në raportin e një viti më parë. Megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, thuhet në raport, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për tu përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri. Raporti i kushton gjithashtu një paragraf qeverisjes kombëtare dhe aty thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte. Mirëpo bojkotimi i Kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e Parlamentit. Për këtë arsye, raporti e ka ulur nga 4.25 në 4.5 vlerësimin e Shqipërisë lidhur me demokracinë në qeverisje. Në raportin “Vendet në tranzicion 2010” thuhet se media në Shqipëri ka bërë përparim në aspektin e teknologjisë që përdor, por korniza ligjore që mbulon median e lirë nuk është ende e plotë. Kjo mungesë, duke i shtuar edhe transparencën e pakët në financimin e medias së shkruar apo asaj elektronike, favorizon më tepër interesat e pronarëve të saj dhe të politikanëve sesa ato të publikut, dhe njëkohësisht dëmton cilësinë editoriale. Mbulimi nga media i zgjedhjeve të 2009-s, thotë raporti, favorizoi dy partitë kryesore duke i lënë jashtë mbulimit partitë më të vogla. Raporti shton se gazetaria investiguese vazhdon të jetë e kërcënuar dhe të gjitha këto e kanë ulur vlerësimin nga “Freedom House” për median e pavarur nga 3.75 në 4 pikë. Për sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, organizata “Freedom House” nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti, nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit. Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Ndërsa korrupsioni, thuhet në raport, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit.

Marrë nga VOA

Qeveria përkeqësim të lehtë

Raporti vlerëson se zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 imponuan një koalicion mes partive politike nga e djathta në të majtë. Qeveria e re ka shpallur integrimin evropian si pikën më të rëndësishme të saj, integrim i cili do të përfshijë reforma të shumanshme. Por bojkoti i Partisë Socialiste ka penguar funksionimin normal të parlamentit dhe ndërmarrjen e iniciativave qeveritare në shumë fusha dhe deri në fund të vitit nuk ishte arritur ndonjë konsensus politik për zgjidhjen e ngërçit. Si pasojë, vlerësimi i qeverisjes përkeqësohet, krahasuar me një vit më parë, nga 4.25 në 4.50

Zgjedhjet, nuk ndryshon vlerësimi

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 u zhvilluan sipas një kodi të miratuar në mënyrë konsensuale nga të dyja forcat politike: PD dhe PS, gjashtë muaj para zgjedhjeve. Për herë të parë listat e votuesve u hartuan në bazë të një sistemi elektronik të kompjuterizuar të gjendjes civile. Gjithsesi, zgjedhjet u zhvilluan nën një frymë të tensionuar politike dhe pati shumë ankesa në lidhje me mënyrën e votimit, edhe pse ato konsiderohen nga OSBE-ja si zgjedhjet më të mira të mbajtura deri më tani në Shqipëri. Shqipëria është vlerësuar për procesin zgjedhor me 3,75 pikë.

Korrupsioni, vlerësimi më i keq

Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të mbetet i lartë. Përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin kanë mbetur në fazën e strategjive ose janë bërë vetëm goditje selektive. Imuniteti i zyrtarëve të lartë vazhdon të jetë ende një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Imuniteti ishte ai që shërbeu si bazë për mosndjekjen penale të ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërthimin e fabrikës së municioneve në Gërdec, që vrau 26 persona. Vlerësimi në këtë fushë, i lartë 5,00

Media përkeqësim i situatës

Media në Shqipëri ka avancuar në drejtim të teknologjisë, por në kornizën legjislative që mbulon median e lirë vazhdojnë të shihen mangësi të theksuara. Rastet e dhunës kundër gazetarëve kanë qenë sporadike dhe gazetari investgativ vazhdon të mbetet nën kërcënim, siç u vu re dhe nga sulmi fizik ndaj botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze. Rritja e kërcënimeve ndaj medias investigative dhe ndikimi që ka politika në to kanë sjellë një përkeqësim të situatës krahasuar me një vit më parë. Vlerësimi për median nga 3.75 shkon në 4,00.

Reforma elektorale

Farm: Nisni punën sa më shpejt për kodin zgjedhor

Eurodeputeti Joran Farm, përfaqësues i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Evropian, tha dje se angazhimi i partive politike në hartimin e reformës elektorale do të garantonte transparencën për zgjedhjet e ardhshme, sikundër do ti jepte zgjidhje ngërçit politik. Farm foli gjithashtu për çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, si shqyrtimi i statusit të vendit kandidat apo dhe procesi i pritshëm për liberalizimin e vizave. Farm tha: "Parlamenti Evropian po planifikon të adaptojë një rezolutë për Shqipërinë dhe jam i bindur se në mënyrë unanime do të mirëpresim shqyrtimin e aplikimit tuaj për anëtarësim, por do të nënvizojmë nevojën për reforma të mëtejshme ekonomike, politike, në sistemin gjyqësor dhe reforma sociale. Ne kemi dhënë mbështetjen paraprake për procesin e liberalizimit të vizave, por sigurisht me kushtin që Komisioni Evropian të verifikojë në muajt që vijnë përmbushjen e kritereve të mbetura dhe unë kam shumë shpresë për këtë". Rezoluta gjithashtu u bën thirrje partive politike të angazhohen në një dialog konstruktiv për të përcaktuar rregullat elektorale që do të garantonin transparencë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të zgjidhnin ngërçin politik. Kjo nuk është hera e parë që zëra të veçantë të PE, KE, por dhe vetë këto institucione në dokumente të miratuara për Shqipërinë u bëjnë thirrje forcave politike në Shqipëri që të konsiderojnë prioritare kryerjen e reformës zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR. Ndërkohë që gatishmëri për reformën elektorale në Shqipëri kanë treguar dhe forcat politike të koalicionit, por kanë hasur në kundërshtimin e opozitës, e cila kërkon me ngulm hapjen e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›