Zgjedhjet serbe në Kosovë, MPJ: Cenojnë integritetin e një vendi sovran
Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar në lidhje me vendimin e Serbisë për të mbajtur në 6 maj zgjedhjet edhe në disa komuna të Kosovës.
Përmes një deklarate për shtyp, MPJ e cilëson këtë vendim si të paligjshëm e të papranueshëm, sepse cenon integritetin e një vendi fqinj sovran.
“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhet në deklaratën e MPJ-së së Shqipërisë.
Duke qenë të paligjshme, sipas MPJ-së, këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik dhe të zgjedhurit nuk do të kenë asnjë autoritet ligjor.
I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cenojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, theksohet në deklaratë.
Fryma evropiane për të cilën ka nevojë Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni, konsiston në zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës, duke zbatuar plotësisht paketën Ahtisari, përfundon deklarata e MPJ-së. / G.N.