Amnesty International: Në Siri, krime kundër njerëzimit
Të vënë poshtë gomave të kamionëve, të rrahur me shkopinj e kabllo, të varur në ganxha hekuri e litarë, të dhunuar seksualisht e të masakruar fizikisht. Llojet e torturave ndaj protestuesve sirianë të arrestuar, sipas Amnesty International kanë arritur në një nivel që nuk është parë që prej viteve 1970-1980.
Një raport i fundit i shpërndarë nga organizata për të drejtat e njeriut denoncon tmerrin që po përjetojnë çdo ditë kundërshtarët e regjimit të presidentit Bashar al Asad në Siri. Raporti i titulluar Doja të vdisja, dëshmi të të mbijetuarve të torturave në Siri dokumenton të paktën 31 mënyra torture dhe keqtrajtimi të vëna në praktikë nga forcat e sigurisë dhe ushtrisë siriane mbi protestuesit sirianë.
Dëshmitë që kemi marrë përshkruajnë së brendshmi sistemin e burgjeve, i cili që nga nisja e protestave ka si qëllim kryesor degradimin, poshtërimin dhe mbylljen e gojës me forcë të njerëzve, thotë Ann Harrison, zv.drejtoreshë e programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International. / Gazmira Ndoja