E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet serbe në veri të Kosovës, analistët: Sfidojnë institucionet

Një javë para zgjedhjeve lokale, subjektet serbe në veri të Mitrovicës kanë intensifikuar fushatën elektorale. Derisa zgjedhjet paralele serbe, sipas analistëve, sfidojnë autoritetin e Prishtinës, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar se nuk kanë mekanizma për të vepruar në veri, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë ditë më parë se, "sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndërhyhet në këto zgjedhje, sepse "ende nuk e kemi përfituar mjaft në komponentin e sundimit të ligjit në atë pjesë".

Por, analisti për qeverisjen lokale, Arben Gashi, mendon se në të vërtetë institucionet vendore dhe ndërkombëtare mund t'i pengojnë zgjedhjet paralele serbe.

"Institucionet e Kosovës kanë mekanizma ligjorë dhe të respektimit të ligjit në shtrirjen e autoritetit në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arsye që të lejojnë që këto zgjedhje të mbahen në territorin e Kosovës, pasi që ato janë të paligjshme dhe rrezikojnë autoritetin e Kosovës", thotë Gashi.

Zgjedhjet e 30 majit në veri të Mitrovicës, janë të dytat që Serbia i organizon në këtë qytet që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe ndërkombëtarët në Kosovë, siç është EULEX-i, i kanë cilësuar zgjedhjet serbe si jolegale. Ndërsa, Zyra Civile Ndërkombëtare, këmbëngul se punët për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe të mbajtjes së zgjedhjeve lokale sipas Planit Ahtisari, janë duke ecur mirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›