E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, shoqëria civile manifestim për mosrespektimin e kuotës gjinore

TIRANË- Koalicioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore organizoi të enjten një manifestim paqësor për mosrespektimin e kuotës gjinore në listat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 23 qershorit. Të mbledhur sëbashku, organizatat e shoqërisë civile u nisën nga rruga pedonale "Murat Toptani" drejt disa selive të partive politike në vend.

Organizatat e shoqërisë civile, të pranishme në këtë aktivitet, theksuan se "Partitë politike përsëri nuk respektuan kuotën gjinore në listat e tyre për kandidatët e Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë. Ky lloj qëndrimi është diskriminues dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, Konventën e OKB-së për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Ligjin për Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri".

Përmes këtij manifestimi Koalicioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore, kërkoi forcimin e zbatimit të kuotës gjinore dhe rishikimin e Kodit zgjedhor. "Në Kodin e ardhshëm duhet të përcaktohet qartë se të paktën 1 në çdo 3 emra përgjatë listave shumë-emërore, të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Kjo është e vetmja mënyrë dhe mekanizmi i duhur sesi partitë politike në Shqipëri të garantojnë përfaqësim të denjë të burrave dhe grave në politikë”, u theksua në manifestim.

Sipas Shoqërisë Civile që merret me çështjet e Barazisë Gjinore, Partitë politike bënë diferencime gjinore ku përjashtuan dhe kufizuan kandidimin e barabartë të grave përkundrejt burrave. Sipas tyre, gratë dhe vajzat anembanë Shqipërisë vazhdojnë të diskriminohen hapur. Ky diskriminim qëndron tek fakti se Kodi Zgjedhor dhe Kuvendi i Shqipërisë, si organ ligjvënës, nuk dhanë asnjë garanci ligjore se gratë patën trajtim dhe mundësi të barabarta nga ana e partive politike, ashtu si edhe burrat, për të qenë kandidate në zgjedhjet parlamentare edhe ato vendore.

Koalicioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile për Barazi Gjinore, përmes këtij organizimi, synon ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë në të ardhmen. Përpjekjet e tyre do të vazhdojnë derisa të krijohen mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në politikë, janë çështje thelbësore të demokracisë dhe e të drejtave të njeriut. Ky koalicion përbëhet nga një rrjet organizatash të shoqërisë civile si AWEN-Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Koalicioni për Pjesëmarrjen e Grave dhe të Rinjve në Politikë, Rrjeti i Grave "Barazi në Vendimmarrje”, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Shoqata për Integrimin e Zonave Informale(SHIZ), me mbështetjen e UNWomen Albania.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›