Qeveria me ekspertë, skema ende në pikëpyetje
Paralajmërimi për një kabinet qeveritar të ndarë nga legjislativi mbetet ende jozyrtar. Prej kohësh, një ide e tillë qarkullon në korridoret politike të partisë më të madhe të opozitës, por duket se do kërkojë sërish kohë derisa të sqarohet. Burimet partiake nënvizojnë se përmes një skeme të tillë, kreu i socialistëve, Edi Rama, do mund të ofronte një ekip qeverisës surprizë. Një pjesë e figurave tradicionale do mund të merrnin mandatin e deputetit edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, duke mos pretenduar për vend në qeveri. Kjo lëvizje mendohet se mund të realizojë edhe një lloj ekuilibri midis të "vjetërve" dhe të "rinjve" në partinë më të madhe të opozitës, e cila pretendon të marrë pushtetin. Një variant të qeverisë me ekspertë, e konfirmoi para pak ditësh në një intervistë për "Shqip" deputeti socialist Namik Dokle, një prej figurave kryesore në këtë parti. Sipas tij, një përvojë e tillë po diskutohet ndonëse jozyrtarisht në ambientet e Partisë Socialiste. Afrimi i fushatës elektorale do të mund të zbulojë detaje të tjera në lidhje me strategjinë qeverisëse të socialistëve. Në thelb, kjo lloj qeverisjeje shton numrin e figurave të angazhuara në nivelet e larta drejtuese.